Escobar me dëshmi para Kongresit Amerikan, përmend si element kyç themelimin e Asociacionit (DOKUMENT)
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të raportojë nesër, para Kongresit Amerikan, lidhur me zhvillimet në zonën për të cilën është ngarkuar me detyrë.
Ai para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë pritet të japë dëshmi, me fokus kryesor, marrëdhëniet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, kryesisht nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, e cila përfshin edhe obligimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
”Elementi kyç është përmbushja e obligimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në vitin 2013. ASK do të fuqizonte komunat me interesa të përbashkëta, gjuhë dhe kulturë për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal. Për më tepër, Kosova dhe Serbia ranë dakord të njohin reciprokisht dokumentet dhe simbolet kombëtare”, thuhet në dokumentin të cilin ai pritet t’ua paraqes kongresistëve.

