Jabllanoviq tallet me Kurtin pas thashethemit: Ta jap një banesë nëse ma gjen tjetrën
Politikani serb, Aleksandër Jabllanoviq është përgjigjur pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se ky i pari, mori banesa dhe para për t’u tërhequr nga gara në zgjedhjet në komunat veriore.
Jabllanoviq përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë fillimisht se në një sistem demokratik, sot ai ose kryeministri Kurti do të duhej të ishin duke u intervistuar në zyrën e prokurorit.
Më tutje, ai ka ironizuar, duke thënë se do t’ia japë kryeministrit një banesë dhe gjysmën e parave, nëse i tregon se ku është pjesa tjetër.
“Në një sistem serioz demokratik sot, në zyrën e prokurorit për t’u intervistuar do të ishte ose zotëriu Albin Kurti ose une. Meqë jemi larg prej demokracisë, po i jap kryeministrit një banesë dhe 500 mijë euro, dhe vetëm po e pyes atë të më tregojë se ku është tjetra banesë dhe pjesa tjetër e parave.” – ka shkruar ai.
Ndërkohë, deklaratën kryeministrit Kurti sot e bëri përmes një video mesazhi, me të cilin iu drejtua qytetarëve serbë.
“Unë mendova se të paktën Aleksandër Jabllanoviqi do të fitonte në Leposaviq, por ai u largua nga gara më datën 21. Në prill, dy ditë para fitores së sigurt, dëgjova se ai i mori një milion euro dhe dy banesa në Beograd. Mund të mos jetë e vërtetë, por për çdo rast, ose duhet të ketë shumë presion ose ndonjë ofertë shumë luksoze…” – tha ai.
