`9 shpirtra` përfaqëson Ferizajn në Turqi

Teatri “Adriana” nga Ferizaj sjell shfaqjen “9 shpirtra”, e cila do të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Samsun të Turqisë, nga 23 deri më 31 mars. Krijuesit e projektit vlerësojnë bashkëpunimin dhe punën e bërë, ndërsa premiera e shfaqjes pritet të jepet më 26 mars.

Shfaqja “9 shpirtra”, e autorit Tayfun Turkilli, me regji të Ali Volkan Çetinkaya nga Turqia, është projekti që po realizohet nga Teatri “Adriana” nga Ferizaj. Kjo shfaqje pritet të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar që mbahet në Samsun të Turqisë nga 23 deri më 31 mars të këtij viti.

Regjisori i shfaqjes vlerëson lart punën e bërë, sidomos të aktorëve, dhe beson se komedia e përgatitur do të pëlqehet nga publiku.

“Më pëlqen ndjenja që japin teatri dhe aktorët shqiptarë. Shumicën e kohës ata janë të aftë të ruajnë qetësinë në skenë. Gjithsesi, kjo është hera e parë që kam punuar në një komedi në teatrin shqiptar dhe çfarë mund të them është se është një teatër shumë i disiplinuar, ku të gjithë përpiqen të bëjnë më të mirën që procesi i shfaqjes të vazhdojë sa më mirë”, tha Ali Volkan Çetinkaya, regjisor.

Aktorët në këtë shfaqje thonë se po japin maksimumin për realizimin sa më të mirë të saj dhe se kjo është një eksperiencë e re për ta në bashkëpunim me një regjisor nga Turqia.

“Realisht, ishte një proces jo i lehtë, pasi vinte një regjisor nga Turqia. Me të huajt është pak më ndryshe të punosh. Regjisori ka qenë fantastik në punën e tij, koncepti regjisorial ka qenë shumë i mirë. Për ne aktorët ka qenë një proces i vështirë, por brenda 45 ditësh kemi arritur ta përfundojmë projektin dhe besoj që ia kemi dalë”, theksoi Mevlan Saraçi, aktor

“Mendoj se qëllimin e kemi arritur. Po del një shfaqje shumë e mirë dhe shumë e lezetshme. Me regjisorin Volkan ka qenë një përvojë e re dhe shumë e mirë. Teksti ka qenë në gjuhën turke, e kemi përkthyer dhe e kemi përshtatur në gjuhën shqipe. Kemi pasur disa vështirësi deri sa e kemi përshtatur, por me një ekip të jashtëzakonshëm dhe besoj që finalja do të jetë shumë e mirë”, tha Gresa Gashi, aktore.

Projekti “9 shpirtra” premierën do ta shfaqë në edicionin e 8-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Samsun të Turqisë, më 26 mars, në orën 20:00.


Go to TOP