9 Shkurti: Fitore e Qartë, Jo Kohë për Improvizime

Shkruan: Sli REXhAJ

Zgjedhjet e 9 shkurtit nxorën fitues opozitën, fitore e pastër si loti. Rezultati ishte i qartë: opozita e dikurshme – PDK, LDK dhe AAK – mori 52 vende në Kuvend, ndërsa VV, Lista Guxo dhe Alternativa – 48. Populli foli qartë dhe votoi për ndryshim, për një qeveri të re që do ta shpëtojë Kosovën nga drejtimi i rrezikshëm i Albin Kurtit, i cili prej kohësh akuzohet se ndjek agjenda që i shërbejnë Serbisë dhe Rusisë.

Por në vend se kjo fitore të kurorëzohej dhe të niste puna për formimin e qeverisë së re, në skenë doli Lumir Abdixhiku me një deklaratë befasuese: ai nuk merr pjesë në qeveri, përveç nëse bëhet kryeministër. Një qëndrim i pazakontë, për një politikan që kishte premtuar se nëse nuk fiton zgjedhjet, largohet nga politika. Premtimet që i dha gjatë fushatës – përfshirë atë për tërheqje – i harroi shpejt, njësoj si Albin Kurti në të kaluarën.

Në vend që të largohej me dinjitet, Abdixhiku u barrikadua kundër çdo forme bashkëpunimi, duke i dhënë shpresë të panevojshme Kurtit për të mbetur në pushtet dhe për të vazhduar shkatërrimin e mëtejshëm të shtetit.

Së fundmi, ai doli me një ide tërësisht absurde: krijimin e një qeverie “uniteti kombëtar” apo “tranzicioni”. Një propozim që është si i pamundur, ashtu edhe i panevojshëm.

I pamundur – sepse me Vetëvendosjen dhe me Albin Kurtin nuk mund të ketë marrëveshje për zhvillimin e Kosovës. Agjenda e tyre është përçarja dhe rrënimi institucional.

I panevojshëm – sepse opozita i ka fituar zgjedhjet dhe është e aftë të formojë një qeveri funksionale. Nuk ka nevojë për improvizime dhe marrëveshje artificiale që e vonojnë vullnetin e popullit.

Më 9 shkurt, qytetarët e Kosovës e larguan Kurtin nga pushteti dhe Abdixhikun nga politika. Çdo përpjekje për ta shtyrë këtë vullnet është humbje kohe – dhe kush e bën këtë, veçse po e zgjat agoninë e një pushteti që tashmë ka përfunduar.

P. S.

Komentet në stilin se LDK nuk bënë koalicion më askënd, do të fshihen. Koalicion me PDK kanë bërë Rugova, Sejdiu e Isa Mustafa, me AAK Rugova e më Vv Isa Mustafa.

Pra LDK është e vetmja parti e cila ka bërë koalicion me të gjitha partitë dhe ka marrë pjesë ne çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e forcimin e Kosovës. Abdixhikut nuk i ka askush faj për humbjen e zgjedhjeve, pos arroganca e tij dhe sjellja autoritare njëjtë si Albin Kurti.

Go to TOP