Prokurori i Shtetit i reagon Sveçlës për rastin “Brezovica”: Ministri po mundohet t’i jap karakter politik aksioneve të policisë

Prokurori i Shtetit ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për aksionin e së martës të Policisë së Kosovës në Brezovicë.

Sipas Prokurorit të Shtetit, Sveçla po mundohet që t’iu jap karakter politik aksioneve të policisë.

“Ministri Sveçla, ashtu si edhe aksioneve të tjera të prokurorisë edhe rastin e ditës së sotme të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në komunën e Shtërpcës dhe më gjerë, mundohet që t’iu jap karakter politik”, thuhet në reagim.

Tutje theksohet se hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit.

“Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike. Ne e mirëkuptojmë vlerësimin që pushteti ekzekutiv ka filluar ta ketë për punën e Prokurorit të Shtetit, mirëpo ia u bëjmë të qartë se duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe kompetencat që secili institucion i ka”, thuhet tutje.

Sipas tyre, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive.

“Aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit  për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë”, thuhet në fund.

Reagimi i Prokurorit të Shtetit erdhi pasi ministri Sveçla tha se Qeveria Kurti është zotuar për luftimin e krimit në çdo cep të vendit.

“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës”.

Ndërkaq, sot Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se në aksionin “Brezovica” janë arrestuar 10 persona nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, për të cilin Prokuroria po dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.

Për këtë rast janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.

Go to TOP