“Ndaq gjuni me plumba” – Musliu i përgjigjet deklaratës që Peci dha pas incidentit

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur sërish për konfliktin e sotëm në Kuvend me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ku pas një debati të ashpër në Komision, këtë të fundit e gjuajti me ujë.

Musliu ka thënë se ka përdorur një mjet demokratik për protestë, për siç thotë ajo “t’ia ndalur shpifjet ministrit”.

“Unë kam përdorë një mjet demokratik proteste sot. Në momentin që kryetarja e Komisionit nuk  mundi ta ndalojë ministrin, atëherë unë përdora mjete demokratike për shpifjet dhe akuzat ndaj meje”, ka thënë Musliu .

Musliu i është përgjigjur Pecit edhe për deklaratën që ky dha pas incidentit.

“Nuk ka me vjedh askush sa të jam unë ministër. Ndaq gjuni me ujë, ndaq me plumba qysh keni gjujtë në të kaluarën, nuk ka birë nane që e ndal Faton Pecin. Sa të jem unë, nuk munden me vjedh dostat e Ganes”, deklaroi ai.

E për këtë deklaratë, ajo tha se do të kërkojë sqarim nga ministri Peci.

“Ata sa herë që nxinën ngusht, kapen në tema të tilla. Do të kërkoj sqarim nga ministri për Çfarë vrasjes e ka pasur, sepse unë në jeten time as nuk kam vra kënd, as nuk kam sulmu kënd. Ai do të jap llogari për shpifjet që i ka bërë në Kuvendin e Kosovës”, tha Musliu. 

Go to TOP