Haradinaj kërkon nga Ilir Meta mbështetje për linjën hekurudhore që do ta lidhte Prishtinën dhe Durrësin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj ka pritur në një takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Haradinaj ka bërë të ditur se me presidentin Meta ka biseduar për projektet e përbashkëta me interes të dy vendeve.

“Sot me bashkëpunëtorë e prita në takim të përzemërt, Presidentin e Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. Folëm hapur për projektet e përbashkëta me interes të dy vendeve tona dhe kërkova mbështetjen e Presidentit për linjën hekurudhore që do ta lidhte Prishtinën dhe Durrësin, krijimin e një sistemi të përbashkët mbrojtës për ndihmë të ndërsjellë në situata të jashtëzakonshme e emergjente si dhe krijimin e lehtësirave për të mundësuar shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Tutje, kreu i AAK-së ka shkruar se “njëkohësisht shfrytëzova rastin që Presidentit Meta dhe Popullit Shqiptar tu uroj Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë”.

Ndryshe, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta është duke qëndruar për vizitë në Kosovë, ndërsa sot do të takohet me liderët shtetërorë e politikë. 

Go to TOP