Reagon AGK-ja: Akuzat dhe sulmet e bashkëshortit të presidentes Osmani ndaj gazetarëve shton pasigurinë e tyre në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj Prindon Sadriun, bashkëshortit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për gjuhën e përdorur ndaj gazetarëve.

Sipas komunikatës për medie, AGK është e alarmuar me gjuhën denigruese të Prindon Sadriut, që ka përdorur ndaj gazetarëve dhe mediave në Kosovë duke i quajtur ato “ndërmarrje të përbashkëta kriminale”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri n 137 mijëra dollarë)”, ka shkruar Sadriu, të martën vonë.

Po ashtu, AGK-ja thotë se “Akuzat dhe sulmet që vijnë nga bashkëshorti i Presidentes, që gjithashtu mban post shtetëror në MPJ, shton pasigurinë e gazetarëve në Kosovë”. Po ashtu, në ditët e fundit edhe gjuha e zëdhënësve dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet në raport me mediat ka qenë e papranueshme dhe paraqet presion direkt në punën e tyre”.

Ndryshe, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga gazetarët dhe punëtorët medialë që t’i përmbahen Kodit Etik të Mediave të Shkruara.

Përmes komunikatës për medie duke marrë shkas nga një raportim joprofesional dhe joetik në disa media disa ditë më parë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës edhe njëherë u kujton kolegëve gazetarë dhe punëtorëve të tjerë medialë rëndësinë për t’iu përmbajtur Kodit Etik të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodit Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës.

“Roli i medias në demokracinë e re të Kosovës është esencial për ofrimin e informatave kredibile dhe të paanshme për qytetarët e vendit, në interes të publikut, thuhet në komunikatën e AGK-së. 

Go to TOP