Presidentja Osmani nderohet me çmimin “Bonifacio VIII” për paqe dhe dialog ndërkulturor
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar mbrëmë në Anagni, qytetin e Papëve, me Çmimin prestigjioz “Bonifacio VIII”, i ndarë nga Akademia Bonifaciana, si vlerësim për angazhimin e saj institucional në promovimin e paqes, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndërfetar.
Në fjalën e saj, Osmani theksoi se ky çmim përfaqëson një përgjegjësi të shtuar për të vazhduar përkushtimin ndaj vlerave universale që qëndrojnë në themelet e Akademisë Bonifaciana, e cila vendos primatin tek drejtësia, dinjiteti njerëzor dhe paqja.
Presidentja kujtoi se ky vlerësim i rëndësishëm u është ndarë më herët edhe personaliteteve të shquara botërore, përfshirë Papa Gjon Palin II duke e bërë çmimin edhe më domethënës.
Ajo nënvizoi se çmimi “Bonifacio VIII” forcon më tej angazhimin e saj dhe të institucioneve të Kosovës për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes popujve, feve dhe kulturave, si dhe për promovimin e paqes së qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. /Kosova.info/
