Pasuria e kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit që u arrestua në aksionin e sotëm

Policia sot ka arrestuar shtatë persona të dyshimtë në mesin e tyre dy zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Njëri nga të arrestuarit në këtë rast është, Kryeinspektori Bedri Halimi.

Halimi ishte përmendur edhe në vitin 2019 nga organet e hetuesisë. Ndaj kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi ishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në deklarimin e tij të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, ai ka deklaruar shtëpi prej 200 metrash katrorë me vlerë prej 60 mijë eurosh, për të cilat thotë se i ka të trashëguara.

Në anën tjetër, ai ka deklaruar në total 2.70 hektarë tokë, që përfshijnë shifrën e 70 mijë eurove.

Halimi në deklarimin e pasurisë nuk i ka bërë publike të dhënat lidhur me atë nëse posedon ndonjë veturë e as paratë nëpër xhirollogaritë bankare.

I njëjti ka deklaruar se nga paga si kryeinspektor në MMPH ai përfitoi të hyra vjetore 7 mijë e 107 euro e 51 centë.

Në anën tjetër, 18 mijë e 286 euro dhe 50 centë kryeinspektori ka raportuar se i ka përfituar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë.

Po ashtu, edhe për ndihmesa për botimin e librit i ka të raportuara një mijë euro të të hyrave vjetore nga Komuna e Dragashit. 

Go to TOP