Pas emisionit të InDoks, nisin hetimet në Odën e Avokatëve

Pas dokumentarit “Oda e Akuzave”, të realizuar nga InDoks, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet në këtë institucion, për këtë është njoftuar edhe zyrtarisht Oda e Avokatëve të Kosovës.

Lënda tanimë është aktive në zyrën e prokurores.

“Njoftoheni se më datë 06.07.2021, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, është pranuar në kompetencë lënda nr.PPN.I.65/2021, konkretisht lënda ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda”.

“Tutje, më datë 14.07.2021, prokurorja e Departamentit për Krime të Rënda, Dulina Hamiti të cilës i është ndarë në punë lënda, i ka dërguar Policisë së Kosovës, konkretisht Njësisë së Veçantë të Hetimeve, kërkesë për grumbullim të informatave”.

Në muajin qershor InDoks, realizoi dokumentarin ku u kuptua se brenda këtij institucioni ka shumë akuza, dyshime për keqpërdorime financiare, shpërdorime me vende pune e deri tek raportimet për ngacmime seksuale.

InDoks raporti se mbledhja e fundit e rregullt në Odën e Avokatëve të Kosovës që për pak rrëshqiti në mbledhje të jashtëzakonshme. Disa degë të kësaj ode kishin kërkuar që kryetari e nënkryetari aktual i saj të shkarkoheshin.

Mes avokatësh prezentë u shkëmbyen akuza. Shumë akuza. Dhe nuk ishte as hera e parë që kjo po ndodhë. Ka vite që në këtë odë që ka fuqinë e licencimit të avokatëve në vend hidhen akuza e kundër akuza.

Në zyret e Odës së Avokatëve kanë kaluar shumë drejtues. Kjo Odë në faqen e saj në internet ia përshkruan vetës një histori që fillon që në vitin 1974.

Kryetari i parë i saj, në ato vite ishte Bllazha Stankoviq. Që nga viti 2001 deri tash janë ndërruar 6 kryetarë në këtë Odë.

Për çudi deri tash, edhe pse janë raportuar edhe në Odë e edhe janë bërë raportime nëpër media, numri i avokatëve që janë suspenduar, e aq më pak, i atyre që janë larguar krejt nga biznesi- që u është marrë licenca e avokatit mund të numërohet në gishtat e dorës.

Avokati Haxhi Çekaj ishte dënuar nga gjykata themelore në vitin 2019 ishte shpallur fator nën akuzën se, pos tjerash, në emër të trupit gjykues nga klienti mori 40 mijë euro. Rasti në vitin 2020 u kthye në rigjykim.

Ndaj të njëjtit avokat, për të njëjtin rast, nga një hetues policor i ishte ngritur edhe një padi civile për shpifje, seancat e së cilës humbin gjurmë në publik në vitin 2019. Polici i kërkonte 12 mijë euro dëmshpërblim, për siç pretendonte ai, shpifje ndaj tij.

InDoks më herët kishte raportuar edhe për rastin e Asdren Mekajt, i biri i Gjyqtarës Nushe Mekaj derisa ishte në proces gjykimi i akuzuar në një rast fajdesh, ishte licencuar nga Oda e Avokatëve.

Prokuroria Speciale e Kosovës në vitin 2019 pati nisur hetime ndaj Asdren Mekajt për përfitimin në mënyrë të paligjshme të licencës së avokatit. Ai është nipi i Sali Mekajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit. Sali Mekaj ishte përballur për shumë vite më një proces gjyqësor mbi akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por që në fund doli i pafajshëm.

Në vitin 2013 një trup gjykues i EULEX-it kishte dënuar një avokat nga Shoqata e Sigurimeve të Kosovës, dhe bashkë me të edhe një ish-gjyqtar për një dëm mbi 71 mijë euro që i kishin shkaktuar kësaj shoqate. Avokati ishte dënuar me 1 vit e gjysmë burg.

Në Komisionin Disiplinor dhe të Ankesave ka fare pak raportime për ngacmimet seksuale ndaj palëve. Thonë që nuk kanë pasur ende asnjë rast, ani pse në vitin 2019 ka pasur raportime për të tillë.

“Në Komision të Ankesave nga palët nuk kemi pas asnjë rast deri më tani për ngacim seksual”, ka thënë kryetari i Komisionit për Ankesa Daut Rudi.

Në vitin 2019 në media u raportua se një zyrtar i lartë ekzekutiv i Odës së Avokatëve kishte kërkuar favore nga një vajzë që po konkurronte për punë në një pozitë në këtë institucion. Asaj, u raportua, se i kishte kërkuar të shkojnë në hotel për të zhvilluar një intervistë.

Akuza publike për ngacmime seksuale. Akuza nga anëtarë të saj për nepotizëm, keqpërdorime financiare, mos-përfaqësim të duhur të interesave të avokatëve. Raste po thuajse të pavërtetueshme të avokatëve që thyejnë rregullat e etikës e mungesë e marrjes së licencës edhe kur ata dënohen. Dhënie e licencës edhe kur personi është duke u gjykuar për krime serioze. Dhe shumë akuza të tjera publike e të brendshme.

Tashmë kanë filluar edhe akuza të brendshme për keqpërdorime buxhetore e shpenzime të paarsyshme.

Delegati Skender Musa ditë më parë në mbledhjen e OAK-së ka thënë se Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Behar Ejupi, ka marrë pagë mujorë në kohë të pandemisë në vlerë prej 1974 euro. ka thënë se ka marrë 500 euro më shumë se sa ia lejon rregullativa.“ Ka marrë pagë në kohë pandemie në vlerë prej 1974 euro euro afër 500 euro më shumë se sa ia lejon Rregullorja”, ka thënë Musa, në mbledhjen e Kuvendit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).Musa ka thënë se edhe blerjet e llaptopëve ishin të paligjshme pasi nuk janë përfillur rregullat.“Pagesat nuk ishin të ligjshme për pagesat e llaptopëve. Ky këshill mbikëqyrës nuk na tha asgjë. Ka ble llaptop 10 mijë euro”, ka thënë Musa.“Kjo është Kryesia më e korruptuar dhe më hakmarrëse”, ka thënë Musa.

Kurse delegati Blerim Cakolli ka pasur ankesa për angazhimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare. Ka thënë se ka probleme në këtë listë duke kërkuar edhe përgjegjësi për këto shkelje.Ai ka thënë se udhëheqja e OAK-së do të duhej të ishte më transparente.

“Me gjithë respektin, kushdo që është përgjegjësi për ex-officio, na tregoni cili është personi përgjegjës. Ne duhet t’i marrim të gjitha mjetet juridike ndaj tyre”, ka thënë Cakolli.

Kurse nënkryetari i kësaj Ode, në një intervistë për InDoks iu është përgjigjur akuzave, duke potencuar se gjithqka është nga egoja dhe lakmia e pozitave.

“ Punët të kqija nuk kanë pasur hapësire ndoshta kjo ka qenë incitivë që sa më herët t’i largojmë nga kryesia e Odës dhe kjo rezulton vetëvetiu asnjë arsye se cfarë duhet thënë kryesia e odës arsyej e vetme janë egot personale dhe lakmia në pozita”, ka thënë Rudari.

Oda e Avokatëve përfaqëson më shumë se 1 mijë e 100 avokatë në gjithë Kosovën që janë të regjistruar në këtë institucion./Insajderi/

Dokumentari i plotë:

Go to TOP