Moisiu: Ish-krerët e UÇK-së janë burgosur pa prova, lufta e tyre ishte për liri dhe dinjitet
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka dalë hapur në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), gjatë protestës gjithëkombëtare të mbajtur sot në Tiranë në mbështetje të tyre.
Në fjalimin e tij para mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, Moisiu theksoi se udhëheqësit e UÇK-së po mbahen në burg pa prova, ndërsa kujtoi se lufta e tyre ishte e drejtë dhe e mbështetur nga aleatët perëndimorë, përfshirë NATO-n.
“Sot jemi mbledhur këtu në zemër të Tiranës për të mbrojtur dinjitetin tonë kombëtar. Jemi këtu për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës – luftëtarëve të UÇK-së që luftuan për lirinë e atdheut. Lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO. Shqiptarët historikisht njihen si luftëtarë. Është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, ajo është fituar me gjak dhe sakrifica,” deklaroi Moisiu.
Ai shtoi se ish-krerët e UÇK-së, që aktualisht po përballen me drejtësinë në Hagë, kanë kryer detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore – mbrojtjen e lirisë dhe të drejtës për ekzistencë të popullit shqiptar në Kosovë.
