Ministri britanik: Ukraina s’është në NATO, zor se ndokush do të dërgonte trupa atje

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se ka pak të ngjarë që vendi i tij ose aleatët do të dërgojnë trupa për ta mbrojtur Ukrainën, nëse pushtohet nga Rusia.

Wallace dhe homologu i tij ukrainas, Oleksii Yuriyovych Reznikov, lëshuan një deklaratë të përbashkët të enjten me të cilën thanë se janë të shqetësuar nga grumbullimi ushtarak i Rusisë, shkruan The Guardian.

“Mbretëria e Bashkuar qëndron krah për krah me popullin e Ukrainës dhe do ta vazhdojë vendosmërinë e gjatë për ta përkrahur atë”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, në një intervistë për “Spectator”, ministri britanik tha: “Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, prandaj ka shumë pak gjasa që ndokush do të dërgojë trupa në Ukrainë për ta sfiduar Rusinë”.

“Ne s’duhet të tallemi me njerëz për të thënë se do ta bënim. Ukrainasit janë të vetëdijshëm për këtë”, shtoi ai. I pyetur nëse donte të thoshte se Ukraina është e vetme, ministri tha: “Ne të gjithë mund të ndihmojmë me ndërtimin e kapaciteteve, por deri në një masë, Ukraina nuk është në NATO dhe për këtë arsye, ne po e bëjmë më të mirën në aspektin diplomatik për t’i thënë Putinit që të mos e bëjë këtë.”

Kremlini ka mohuar se është duke përgatitur ndonjë pushtim dhe e ka akuzuar Ukrainën për nxitje të tensioneve në rajon duke shpërndarë armë të reja.

Go to TOP