Lushaku Sadriu: Kurti është përçarësi më i madh politik në hapësirën mbarëshqiptare
Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK dhe deputetja Jehona Lushaku Sadriu ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Kryeministrit Albin Kurti duke e cilësuar atë si përçarësin më të madh politik në hapësirën mbarëshqiptare.
Sipas saj, qasja arrogante dhe përjashtuese e Kurtit ka dëmtuar thellësisht komunikimin ndërpartiak dhe ka kontribuar në një klimë të papërgjegjshme politike. “Kur si parti fituese nuk arrin të konsolidojë shumicën dhe kur edhe komunitetet jo-shumicë ndalin bashkëpunimin, Kurti përsëri zgjedh të akuzojë opozitën për ndikimin serb,” theksoi Lushaku Sadriu.
Ajo e quajti të paskrupullt përpjekjen e Kurtit për të shpallur fajtorë të tjerët, për t’i përçarë e etiketuar kundërshtarët politikë, përveç Vetëvendosjes. Sipas saj, kalimi nga akuzat e rënda ndaj opozitës në një ftesë për bashkëpunim, brenda një kohe të shkurtër, është një sjellje e padenjë për një demokraci funksionale dhe dëmton kulturën e dialogut politik dhe përfaqësimin e qytetarëve.
Ajo përfundon duke thënë se kjo qasje duhet të refuzohet me vendosmëri nga të gjitha forcat demokratike. /Kosova.info/
