Kryeministri Bennet – shtetasve izaelitë: Largohuni nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennet, u ka bërë thirrje shtetasve izraelitë që të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga zonat e Ukrainës.

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennet, të dielën u bëri thirrje urgjente qytetarëve izraelitë që gjenden në zonat e Ukrainës që të kthehen në shtëpitë e tyre.

“Nuk e dimë se si do të zhvillohen ngjarjet mes Rusisë dhe Ukrainës në ditët në vijim. Ashtu si pjesa tjetër e botës, ne shpresojmë që tensioni të përfundojë pa një përshkallëzim”, është shprehur ai në fillim të takimit javor të kabinetit në Jerusalem.

Sipas tij, përgjegjësia parësore e autoriteteve është kujdesi “për qytetarët tanë, qytetarët izraelitë”.

“Gjatë së shtunës, ministri i Jashtëm, unë dhe ekipet tona jemi kujdesur që të rrisim ndjeshëm numrin e fluturimeve drejt Izraelit.Mos e ekspozoni veten ndaj rreziqeve të panevojshme. Mos prisni derisa të gjendeni në një situatë ku vërtet dëshironi të ktheheni, por nuk do të jetë e mundur. Tregoni përgjegjësi për jetën tuaj”, shtoi ai.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme vlerëson se ka 10 mijë deri në 15 mijë izraelitë në Ukrainë.

Ndërkohë, Rusia ka grumbulluar më shumë se 100 mijë trupa pranë kufirit të Ukrainës në javët e fundit, sipas vlerësimeve të SHBA, duke rritur frikën nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore dhe ukrainase se një pushtim mund të jetë më afër se kurrë.


Go to TOP