Klinaku i ashpër ndaj Speciales: S’mund të ma mbyll gojën, përveç nëse më burgosin

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftë së UÇK-së, Faton Klinaku, është shfaqur sot i ashpër ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë.

Klinaku u shpreh në një konferencë për media, se Gjykata Speciale s’mund t’ia mbyllë gojën përveç nëse e burgosin, përcjell Klankosova.tv.

Kjo pasi kryeprokurori i Speciales, Jack Smith, pati përdorur një deklaratë të Faton Klinakut si argument pse Kadri Veselit, duhet t’i vazhdohet paraburgimi.

Për këtë ai shton se asgjë nuk e lidh me të burgosurit që gjenden në Hagë edhe nëse del e flet në televizione.

”Qëndrimi i OVL-UÇK-së nuk ka ndryshuar por ne vazhdojmë të konsiderojmë që kjo Gjykatë Speciale nuk ndjek krimet e luftës por pjesëtarët e UÇK-së dhe luftën çlirimtare. Çfarë ka me më lidh mu me Kadri Veselin ose të tjerët pse unë flas në televizion, nëse ata duan të na mbyllin gojën e kanë të kotë se nuk e mbyllim gojën. Edhe njëherë po e them është kollaj le ta marrin Faton Klinakun le ta burgosin dhe nuk flet atje ia ndalojnë për të folë në burg”, u shpreh ai.

Klinaku po ashtu tha se s’mund ta dirigjojë se çfarë flet as Thaçi e as të tjerët pasi e thotë vetëm qëndrimin e OVL-UÇK-së.

”Mu s’mundet me më dirigju as Hashim Thaçi as Kadri Veseli e as asnjë i burgosur atje e as Nasim Haradinaj e Hysni Gucati se çfarë jap unë për opinionin sepse unë e paraqes vetëm një qëndrim që e ka OVL. OVL-UÇK qysh me 7 janar 2011 nuk bashkëpunon dhe nuk ka bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë ndërkombëtare, pseudodrejtësisë e cila ka bërë shumë skandale që ju kanë dalë edhe me raportime të ndryshme gjatë UNMIK-ut, EULEX-it dhe tash Gjykatës Speciale. Ish-gjyqtari Malcolm Simmons ka treguar për padrejtësitë që i janë bërë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Klinaku para mediave.

Kryeprokurori i Dhomave të Specializuara, Jack Smith, në një dokument të dërguar në adresë të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Hagës, ka listuar argumentet e tija, se pse Kadri Veseli duhet të mbetet ende në paraburgim dhe pse duhet refuzuar kërkesa e mbrojtjes për mbrojtje në liri.

Go to TOP