SHËNDETËSIATop Lajmi

Fushata më e shpejtë e vaksinimit në botë

AFP

Fushata globale për vaksinim kundër koronavirusit – më e madhja në historinë e njerëzimit – ka nisur një vit më parë, dhe Britania e Madhe ka qenë në krye të saj.

Ky shtet e ka dhënë vaksinën e parë më 8 dhjetor të vitit 2020.

Tani, gjysma e popullsisë botërore ka marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër këtij virusi.

Mirëpo ndërkohë që shtetet e pasura kanë nisur të japin edhe doza shtesë, shumë vende të varfra janë duke pritur për dozën e tyre të parë.

Këto pabarazi janë vërejtur edhe më shumë në kohën e urgjencës me variantin Omicron të koronavirusit, ashtu sikurse polemikat për efektet e rralla anësore dhe kundërshtimet për vaksinim të detyrueshëm.

Kush sa vaksinoi?

Mbretëria e Bashkuar ka qenë e para për vaksinim masiv, mirëpo Rusia dhe Kina kanë nisur më parë këtë proces, duke shënjestruar qytete dhe rajone specifike.

Në ditët e para të vaksinimit, Mbretëria e Bashkuar ka përdorur kryesisht vaksina të kompanisë AstraZeneca.

Shumë shtete të pasura kanë ndjekur këtë ritëm në muajin dhjetor – përkatësisht Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe më 14 dhjetor të vitit 2020.

Arabia Saudite dhe Izraeli kanë nisur po ashtu fushatën atë ditë, derisa Bashkimi Evropian ka dhënë vaksinat e para në fund të muajit dhjetor.

Shumica prej tyre kanë përdorur vaksina të prodhuara nga kompanitë Pfizer/BioNTech.

Një vit më vonë, 55 për qind e popullsisë botërore – 4.3 miliardë njerëz – kanë marrë të paktën një dozë.

Të paktën 44 për qind, apo 3.4 miliardë persona janë plotësisht të vaksinuar, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP, duke u bazuar në të dhënat zyrtare.

Në total, 8.1 miliardë doza vaksinash janë dhënë në gjithë botën.

Rreth 20 vaksina që jepen kundër këtij virusi janë zhvilluar në kohë rekorde, pas raportimit të rasteve të para me koronavirus në fund të vitit 2019 në Kinë.

Përveç vaksinave të kompanive AstraZeneca dhe Pfizer, vaksina tjera që janë përdorur në masë janë ato të prodhuara nga kompanitë amerikane, Johnson & Johnson dhe Moderna, vaksinat kineze, Sinopharm dhe Sinovac dhe ajo ruse, Sputnik V.

Kush mbeti mbrapa?

Ndonëse fushatat e vaksinimit kanë nisur në shumicën e vendeve deri në qershor të vitit 2021, në disa shtete të varfra ritmi është i ngadalshëm dhe madje disa prej tyre kanë pezulluar këtë proces për shkak se nuk kanë pasur doza të mjaftueshme.

Mekanizmi COVAX, i krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, aleanca GAVI dhe koalicioni CEPI, ka për qëllim që të sigurojë vaksina për vendet me të ardhura të ulëta.

Përmes COVAX-it, dozat e para të vaksinave janë dërguar në fund të muajit shkurt në Ganë.

Në krahasim me shtetet e pasura, të cilat janë të gatshme të paguajnë çmim të lartë për vaksina, COVAX deri më tani ka shpërndarë vetëm 591 milionë doza të vaksinave në 144 shtete apo territore.

Këto shifra janë relativisht të ulëta në krahasim me objektivin fillestar për shpërndarje të dy miliardë dozave më 2021.

Kjo i bie se nëntë doza janë dhënë për 100 banorë në shtetet që klasifikohen me të ardhura të ulëta, sipas Bankës Botërore.

Mesatarja globale është 104 doza për 100 banorë, derisa vendet e pasura kanë arritur të sigurojnë 149 vaksina për 100 banorë.

Afrika është kontinenti më pak i vaksinuar me vetëm 18 doza për 100 banorë.

Emiratet e Bashkuara Arabe udhëheqin në garë

Tridhjetë e nëntë nga pothuajse 50 vendet me popullatën më të vaksinuar, janë të pasura dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë të parat të listë.

Emiratet kanë vaksinuar plotësisht nëntë në dhjetë persona.

Afër tyre janë: Portugalia (87 për qind), Singapori (86 për qind), Katari (85 për qind), Kili dhe Malta (84 për qind), Kuba (81 për qind), Koreja Jugore dhe Kamboxhia (80 për qind).

Mirëpo shtetet e pasura, që kanë nisur fushatën e vaksinimit për shkak të qasjes së tyre të privilegjuar në vaksina, tani kanë mbetur mbrapa.

Britania ka vaksinuar 68 për qind të popullsisë, Izraeli 67 për qind dhe Shtetet e Bashkuara 60 për qind.

Eritrea dhe Koreja Veriore janë të fundit

Burundi dhe Republika Demokratike e Kongos janë vendet me shkallën më të ulët të vaksinimit.

Ato kanë imunizuar më pak se 0.1 për qind të banorëve.

Eritrea dhe Koreja Veriore janë dy vendet e vetme që nuk kanë dhënë asnjë vaksinë kundër koronavirusit.

Dozat përforcuese dhe vaksinat për fëmijët

Shtetet e pasura janë në mesin e rreth 80 shteteve që kanë nisur të japin doza përforcuese të vaksinave.

Aty përfshihen vendet nga Evropa, Amerika Veriore dhe Gjiri.

Shumica prej tyre vaksinojnë edhe fëmijë të moshës nga 12 deri në 17 vjeç.

Disa shtete sikurse Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Izraeli, Kili, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuba, Kamboxhia dhe Venezuela, janë duke vaksinuar edhe fëmijë nën moshën 12-vjeçare.

Shfaq më shumë