Fisnik Osmani reagon ndaj lajmeve për përjashtim nga LDK: Lajme të pavërteta
Kryeshefi Ekzekutiv i NP Termokos, Fisnik Osmani, ka reaguar pas raportimeve në disa portale për kinse përjashtimin e tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka mohuar kategorikisht këto lajme, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta.
“Të dashur qytetarë! Nuk kam asnjë njoftim lidhur me disa lajme që po qarkullojnë nëpër portale. Unë jam Kryeshef Ekzekutiv i NP Termokos dhe në bashkëpunim të ngushtë me Kryetarin e Komunës Përparim Rama dhe me aksionarët e ndërmarrjes po punojmë që Termokos të jetë afër qytetarëve për çdo nevojë dhe shërbim,” ka deklaruar Osmani.
Ai theksoi se partia është një organizatë ku aktivistët kontribuojnë në baza vullnetare dhe se askush nuk ka të drejtë të përjashtojë dikë.
“Prandaj, këto lajme përveç që janë të pasakta, janë edhe të pavërteta!” përfundoi ai.
Ndryshe, Fisnik Osmani është pjesë aktive e LDK-së dhe aktualisht udhëheq ndërmarrjen publike Termokos. /Kosova.info/
