Duda Balje në kërkim të mbështetjes për shaminë edhe në Ankara, ia jep deputetja e Erdoganit

Leyla Sahin në vitin 2004 kishte paditur shtetin e Turqisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për ligjin që ndalonte mbulesën me shami në universitete dhe në institucione të tjera edukative dhe shtetërore. Sahin kishte humbur rastin në GJEDNj, ndërkaq sot është deputete e partisë së Erdoganit. Homologia e saj nga Kosova, Duda Balje, e ka takuar atë në Ankara të shtunën.

Balje ka qenë e zëshme kundër martesave të gjinisë së njëjtë në kuadër të Kodit të ri Civil dhe së fundi i priu reagimeve kundër drejtoreshës së shkollës së mesme në Gjakovë për shenjën e shamisë që ishte vendosur në hyrje të shkollës.

Balje tha se në Ankara ka qëndruar për të marrë mbështetje nga TIKA turke lidhur me një aparat në vlerë gjysmë milioni euro për repartin e Onkologjisë në QKUK.

“Unë në Turqi kam qënë për të kërkuar donacion për aparatin në Onkologji në vlerë 500 mijë euro. Kam vizituar qeverinë e Turqisë dhe TIKA-n”, tha Balje.

E pyetur mbi diskutimet me deputeten Sahin dhe çështjen e shamisë në Kosovë, Balje tha se deputetja turke ka shprehur përkrahjen e saj që vajzat me shami të lejohen të vijojnë mësimet në shkolla.

“Ajo ka dhënë përkrahje sa i përket shamisë sepse nuk sheh asnjë të keqe. Megjithatë vendimi është individual nëse vajzat dëshirojnë të vendosin shami por unë po dua t’i mbrojë ato sepse nuk kanë pasë të drejta të barabarta me të tjerët”, tha ajo.

Tutje deputetja Balje tha se gruaja e mbuluar është simbol i vetëdijes dhe sakrificës.

“Gruaja e mbuluar është një simbol i vetëdijes, sakrificës dhe një simbol i besimeve të saj. Frika nga pranimi i tjetrit dhe nga diçka që nuk mund të jetë e keqe është një gjë e rrezikshme”, tha ajo.

Rasti në GJEDNj Leyla Sahin vs Turqia

Sahin pretendoi se masat e marra ndaj saj nga Universiteti i Stambollit shkelnin nenet 9 dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – respektivisht të drejtën për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë, si dhe ndalimin e diskriminimit – duke deklaruar se ndalimi i vendosjes së shamisë  i detyronte studentët të zgjidhnin mes arsimit dhe fesë dhe diskriminonte mes besimtarëve dhe jobesimtarëve.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në 2005 kishte shpallur verdiktin final në rastin Leyla Sahin ndaj Turqisë.

Gjykata i dha të drejtë ligjit në fuqi që ishte në Turqi, me 16 vota për dhe një kundër dhe konstatoi se nuk ka pasur shkelje të nenit 9(liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Go to TOP