Dua Lipa me video-mesazh për shqiptarët: Tirana ka vend të veçantë në zemrën time, do të vij shumë shpejt

Ditë më parë, e përditshmja britanike The Guardian, publikoi një artikull të gjatë dhe promovues për turizmin e Shqipërisë.

Duke e cekur si një nga destinacionet që britanikët ia vlen të vizitojnë sivjet, mediumi i famshëm anglez shkroi ndër të tjerash se kryeqyteti, Tirana, do të jetë nikoqir i koncerteve të artisteve shqiptare me renome botërore, Rita Ora dhe Dua Lipa.

Kjo e fundit, e cila u gjend për pushime verore vitin e kaluar në Shqipëri, përmes një video-mesazhi dërguar shqiptarëve, i ka përshëndetur të gjithë bashkëkombësit e saj, duke konfirmuar se së shpejti do të jetë në shtetin amë për një koncert.

“Përshëndetje çuna, përshëndetje kryebashkiakut Erion. Shpresoj që po kaloni të gjithë mirë! Jam shumë e lumtur të jem pjesë e festës tuaj të madhe që do të zgjasë në të gjithë vitin në Tiranë, Kryeqyteti Evropian i Rinisë. Tirana mban një vend special në zemrën time, jo vetëm prej rrënjëve të mia shqiptare, por gjithashtu dhe për atmosferën pozitive dhe energjinë e mrekullueshme. Tirana është si një shtëpi për mua dhe dua që e gjithë bota ta dijë. Kjo është një mundësi e mirë për t’i treguar Evropës talentin dhe potencialin e rinisë shqiptare. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve në Tiranë dhe jam e sigurt që secila prej tyre do jetë një sukses. Mezi pres të jem aty me ju me miqtë e mi dhe të bashkohemi në festën tuaj por deri atëherë ju dërgoj shumë puthje”, thotë ndër të tjerash interpretuesja e hitit “New Rules”.

Tutje, ajo e mbyll videomesazhin duke iu uruar fat organizimit të aktiviteteve në kuadër të projektit “Tirana, kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

“Tirana ka një vend të veçantë në zemrën time. Në Tiranë e ndjej veten si në shtëpi. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve dhe jam e sigurt që do të jenë një sukses i garantuar. Ju dua shumë”, tha Dua Lipa.

26-vjeçarja përndryshe ka mbajtur për herë të fundit koncert në Shqipëri në gushtin e vitit 2016, gjersa në Kosovë në gushtin e vitit 2018 – në kuadër të festivalit “Sunny Hill”. 

Dua Lipa në Prishtinë, gusht 2018 (Foto: MTI/EPA)

Go to TOP