Bilall Sherifi i drejtohet PSD’së: A guxoni Albinit me ia heq flamurin kombëtar

Anëtari i Nismës, Bilall Sherifi, ka pyetur PSD-në se a kanë guxim t’ia heqin flamurin kombëtar kryeministrit Albin Kurti pasi aktivistët e kësaj partie sot hoqën flamurin shtetëror të Kosovës për të vendosur batanije.

“Kollaj me flamurin e Kosovës, le të provojnë me ia heq Albin Kurtit flamurin kombëtar, pastaj e shohin çka ju ban”, ka shkruar Sherifi.

Partia Socialdemokrate ka larguar flamujt e Kosovës nga oborri i Qeverisë së Kosovës, duke i zëvendësuar me batanije.

Aktivistët e PSD-së janë duke zhvilluar një aksion para Qeverisë së Kosovës, për shkak të krizës energjetike në vend dhe kthimit të reduktimeve me energji elektrike.

PSD ka larguar flamujt që gjenden në oborrin e Qeverisë së Kosovës, duke vendosur batanije në vend të tyre.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, ka deklaruar se batanijet janë vendosur në shenjë të dorëzimit të Qeverisë Kurti, ndaj krizës energjetike.

“Sikurse flamuri i bardhë i cili është simbol i dorëzimit, qebet që kemi vendosur janë simbol i dorëzimit të Qeverisë Kurti ndaj krizës së energjisë elektrike. Kemi një kryeministër i cili na udhëzon që mënyra për t’u mbrojtur nga i ftohti është qebja. Në anën tjetër kemi ministren e ekonomisë Artane Rizvanolli e cila fajin e hedh tek njerëzit të cilët po e përdorin rrymën për komoditet”, ka deklaruar Kuçi.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ditë më parë ka deklaruar se kur është kthyer në shtëpi është ngrohur me batanije. 


Go to TOP