Arrihet pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për Srebrenicën

Ambasadori i Bosnje-Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Zllatko Llagumxhija, ka bërë të ditur se është arritur pajtueshmëri për tekstin përfundimtar të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë.

Ndryshimet në rezolutën që e ka parë Radio Evropa e Lirë përfshijnë shprehjen “sipas të drejtës ndërkombëtare” dhe shprehja “jokolektive” është zëvendësuar me “individuale”.

“Ne kemi qenë të heshtur ndaj mohuesve të gjenocidit teksa ata kanë festuar dhe kanë ‘caktuar’ e më pas ‘anuluar’ mbledhje joekzistente të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, si dhe bënin vlerësime për ‘Rezolutën gjenocidin në Srebrenicë më 1995’ para se ta lexonin dhe para se të finalizohej teksti”, ka thënë Llagumxhija në një postim në X, platformë e njohur më parë si Twitter.

Sipas tij, “fjala e vetme që u pengon atyre është gjenocidi”.

Ndonëse për tekstin e rezolutës në parim janë pajtuar shumë vende që e kanë përkrahur nismën, Mali i Zi ka kërkuar disa ndryshime shtesë.

“Srebrenica e ka marrë vëmendjen globale në muajt e fundit – si simbol i luftës për drejtësi, të vërtetës, pajtimit, mësimit dhe si simbol i luftës kundër mohimit të gjenocidit. Askush nuk mund të ikë nga kjo më”, ka thënë ambasadori.

Sipas tij rishikimi final i rezolutës, që do të prezantohet para të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara më 23 maj, ka rezultuar me një tekst edhe më të thuktë.

Ai ka thënë se pas ndryshimit të parë, tani në tekst përmendet se “përgjegjësia kriminale, nën ligjin ndërkombëtar, për krimin e gjenocidit, nuk mund të aplikohet ndaj asnjë komuniteti etnik apo fetar në tërësi”.

Teksti më pas thotë, “ne konfirmojnë përkushtimin tonë për të mbajtur dhe forcuar unitetin në diversitetin e Bosnje-Hercegovinës”.

Rezoluta e iniciuar prej Gjermanisë dhe Ruandës kërkon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare për Kujtimin e Gjenocidit në Srebrenicë.

Rezoluta u referohet fakteve të gjykatave ndërkombëtare dhe atyre vendase.

Çfarë përmban projekt rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë?

Në tekstin e projektrezolutës, të cilin e ka parë Zëri i Amerikës, thuhet mes tjerash se duke vënë në dukje se viti 2025 do të shënojë tridhjetë vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin humbën jetën të paktën 8,372 veta, mijëra u zhvendosën dhe familjet dhe komunitetet u shkatërruan, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së:

1. Vendos të caktojë 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të viti 1995 në Srebrenicë, që do të festohet çdo vit;

2. Dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u kërkon shteteve anëtare të ruajnë faktet e vërtetuara edhe përmes sistemeve të tyre arsimore, duke zhvilluar programe të përshtatshme, gjithashtu në përkujtim (të ngjarjeve) dhe me synim të parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit të tyre si dhe pengimin e gjenocideve në të ardhmen;

3. Gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, duke përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin në Srebrenicë;

4. Thekson rëndësinë e përmbylljes së procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të mbetura të gjenocidit të Srebrenicës dhe varrimin e dinjitetshëm të tyre dhe bën thirrje për ndjekjen e vazhdueshme të atyre autorëve të gjenocidit në Srebrenicë, që ende nuk janë përballur me drejtësinë;

5. I nxit të gjitha shtetet që t’u përmbahen plotësisht detyrimeve të tyre sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, dhe të drejtën ndërkombëtare zakonore për parandalimin dhe ndëshkimin e gjenocidit, duke pasur parasysh vendimet përkatëse të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë;

6. Kërkon nga Sekretari i Përgjithshëm të themelojë një program informues të titulluar “Gjenocidi i Srebrenicës dhe Kombet e Bashkuara”, duke filluar përgatitjet për shënimin e përvjetorit të tridhjetë në vitin 2025, dhe gjithashtu i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të sjellë këtë rezolutë në vëmendjen e të gjitha shteteve anëtare, organizatave të sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të shoqërisë civile, në funksion të respektimit të duhur të saj;

7. Fton të gjitha Shtetet Anëtare, organizatat e sistemit të Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërinë civile, duke përfshirë organizatat joqeveritare, institucionet akademike dhe palët e tjera të interesuara për të respektuar Ditën Ndërkombëtare, duke përfshirë kremtime dhe veprimtari të veçanta në kujtim dhe nderim të viktimave të gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë, si dhe arsimimin e duhur dhe veprimtaritë e ndërgjegjësimit të publikut.

Për gjenocidin ndaj mbi 8.000 burrave dhe djemve myslimanë në rajonin e Srebrenicës më 1995, janë dënuar më shumë se 50 persona me gati 700 vjet burgim.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e njeh këtë akt si gjenocid.

Ky krim konsiderohet më i rëndi në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, dhe për të janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burgim gjithsej.

Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme të serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq.

Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Sërpska, nuk e pranojnë të jetë kryer gjenocid në Srebrenicë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuciq e ka quajtur këtë rezolutë si deklaratë politike.

Ai ka pyetur nëse synimi është “rishikim i një padie kundër Serbisë, apo mbledhje e dëmeve të luftës?”

Në rezolutë nuk përmendet asnjë komb dhe shtet.

Brukseli ka thënë më 14 maj se nuk ka vend në Bashkimin Evropian për ata që e dënojnë gjenocidin në Srebrenicë.

Go to TOP