Anketa e re: Bie përkrahja për Macronin, 50% – 50% me Pecresse-n në rundin e dytë

Politikania konservatore e krahut të djathtë, Valerie Pecresse, duket se ka gjasa të barabarta me presidentin e tanishëm francez, Emmanuel Macron, për fitore në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të këtij viti në Francë.

Kështu tregojnë rezultatet e një ankete të publikuar të mërkurën e të zhvilluar nga “Elable” për televizionin BFM dhe revistën L’Express.

Sipas anketës, presidenti i tanishëm i Francës do të jetë më i votuari në rundin e parë, ndonëse për 3 për qind më pak se në anketën e kaluar – me 23 për qind. Në rundin e parë, 17 për qind do ta votonin konservatoren Pecresse dhe po aq kandidaten e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, shkruan Reuters.

Në bazë të rezultateve të anketës së re, nëse Pecresse arrin që të dalë e dyta në rundin e parë, ajo do të kishte përkrahje të barabartë me Macronin – 50 për qind me 50 për qind – në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Zgjedhjet presidenciale në Francë janë të planifikuara që të mbahen më 10 prill të këtij viti. Nëse asnjë kandidat nuk e fiton shumicën e thjeshtë në rundin e parë, fituesi do të përcaktohet në rundin e dytë mes dy kandidatëve më të votuar. Nëse do të jetë i nevojshëm, rundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet dy javë pas rundit të parë, pra më 24 prill.


Go to TOP