Angazhimi i 16 mijë luftëtarëve të ISIS-it nga Rusia, reagon Ukraina

Rusia ka njoftuar për angazhim të 16 mijë luftëtarëve të Lindjes së Mesme krah saj në territorin e Ukrainës, ndërsa një zyrtar ukrainas thotë se ‘punësimi’ i pjesëtatëve të ISIS-it për të luftuar civilët ukrainas tregon se Rusia po e zbaton një plan si në Siri.

Zyrtari i Presidencës, Mykhail Podolyak, i cili është pjesë e ekipit negociator të Ukrainës, thotë se njoftimi i Rusisë për angazhimin e 16 mijë luftëtarëve të organizatës terroriste, ISIS, tregon se dëshirojnë ta zbatojnë një skenar si në luftën e Sirisë.

“Zyrtarët rusë, përfshirë ministrin Shoigu, kanë njoftuar për rekrutim të shpejtë të 16 mijë luftëtarëve të ISIS-it, që të shfrytëzohen kundër civilëve ukrainas. Angazhimi i ISIS-it dhe deklarimet e propagandës ruse për armë kimike dëshmojnë për një përpjekje pë ta zbatuar “skenarin e Sirisë” në Ukrainë”, ka shkruar zyrtari ukrainas.

Presidenti rus Vladimir Putin, ka aprovuar sjelljen e 16 mijë vullnetarëve nga Lindja e Mesme për të luftuar në Ukrainë krah separatistëve rusë në Donbas, shkroi Reuters.

Në një takim të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu tha se janë 16,000 vullnetarë në Lindjen e Mesme të cilët ishin gati të vinin për të luftuar me forcat e mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore në rajonin separatist të Donbasit.

Putin tha se duhet t’i ndihmojnë këta vullnetarë që të arrijnë në zonën e konfliktit.

“Nëse shihni se ka nga këta njerëz që duan me dëshirën e tyre, jo për para, të vijnë për të ndihmuar njerëzit që jetojnë në Donbass, atëherë ne duhet t’u japim atyre atë që duan dhe t’i ndihmojmë ata të arrijnë në zonën e konfliktit”, deklaroi Putin.

Ai gjithashtu i tha ministrit të tij të Mbrojtjes se ka miratuar që raketat Javelin dhe Stinger të kapur nga ushtria ruse në Ukrainë t’u dorëzoheshin forcave seperatiste në Donbass.

“Për sa i përket dorëzimit të armëve, veçanërisht atyre të prodhimit perëndimor që kanë rënë në duart e ushtrisë ruse – sigurisht që unë mbështes mundësinë për t’i dhënë ato njësive ushtarake të republikave popullore të Luganskut dhe Donjeckut,” tha Putin.

Forcat ruse kanë hyrë në territorin e Ukrainës në orët e para të 24 shkurtit, pas një urdhri të presidentit Putin, i cili nisjen e luftës e quajti “operacion special”.

Go to TOP