Hapi 4 herë shampanjën, sulme e fyerje ndaj liderve të BE/ Sot Rama feston suksesin e të tjerëve

Edi Rama reagoi i entuziazmuar pas vendimit të Parlamentit të RMV për të pranuar propozimin francez, si rrugëzgjidhje e konfliktit me Bullgarinë.

Sipas Ramës, tashmë negociatat kanë marrë dritën jeshile dhe javën e ardhshme, të hënën, ai do të fluturojë vrik bashkë me qeverinë, drejt Brukselit.

Entuziazëm të kësaj natyre kemi parë edhe disa vite më parë e nuk përbën kurrfarë surprize më.

Madje, nga viti 2018 e këtej, Edi Rama ka festuar 4 herë me shampanjë çeljen e negociatave dhe pse në të vërtetë bisedimet për anëtarësim nuk nisën kurrë. Konferenca e parë ndërqeveritare, aq shumë e përfolur s’dihet a do të bëhet ndonjëherë, edhe pas lajmit të sotëm që erdhi nga Maqedonia e Veriut.  

Por edhe nëse ky moment do të vijë së shpejti, nuk ka vend për festë dhe as triumfalizëm.

Kjo sepse të gjithë shqiptarët e dinë që parametrat dhe treguesit që çon Shqipëria te partnerët europianë, nga niveli ekonomiko-social, papunësia, varfëria, krimi dhe korrupsioni, ekuilibrat e demokracisë e liria e medias, na bëjnë një vend të denjë të botës së tretë.

Me një drejtësi të kapur fund e krye dhe që komandohet nga orekset politike të Edi Ramës s’ka se si që një vend të mbërrijë në paradhomën e BE, aty ku realisht Shqipëria duhet të ishte në vitin 2014, kur edhe mori statusit të vendit kandidat. Por, sot, 8 vite më pas, jemi në po të njëjtën  

Papunësia është në shifra të frikshme, pagat janë ndër më të ulëtat në planet, pensionet gjithashtu të zhvlerësuara në ekstrem nga inflacioni dhe kriza e çmimeve që ka prodhuar Bordi komunist, korrupsioni ndodhet në nivele historike si asnjëherë më parë në këto 32 vite, ndërkohë që drejtësia po faktohet gjithnjë e më tepër si vegël në duart e Edi Ramës.

Prandaj edhe, Edi Rama sot nuk ka arsye për të festuar.

Ai mund të festojë suksesin e të tjerëve, dhe në këtë rast suksesin e Maqedonisë së Veriut, vend i cili 3 vite më parë u penalizua nga Shqipëria e ‘mbytur’ nga kanabisi në të katër anët e vendit dhe që po helmonte edhe Europën.

Por të paktën sot nuk dëgjuam prej tij logorenë e fjalëve pa kuptim, sulmeve dhe fyerjeve si ndaj presidentit francez Emanuel Macron, apo edhe kryeministrit bullgar, Kiril Petkov.

Këta, një muaj më parë, Rama herë i quajti “në depresion”, herë se “bëjnë shfaqje të turpshme” dhe herë se “janë në impotencë”. Të gjitha këto shprehi të përdorura nga kryeministri i vendit që sot foli me lëvdata dhe superlativa arritjeje, duke tentuar që suksesin t’ia veshë vetes. Kur e vërteta është ndryshe dhe të gjithë e dinë.

Dhe e vërteta duhet thënë. BE gjithnjë ka qenë nxitëse e kursit të reformave dhe progresit të vendit, por BE nuk ka logjikë s’mund të pranojë një vend që e ka drejtësinë instrument të politikës, si në kohën e Enverit, varfërinë si në Afrikë, krimin e organizuar si në Palermon e viteve ’80 dhe korrupsionin si te regjimet hibride.

Prandaj, Rama me siguri të hënën do hapë shampanjën e radhës, do flasë për ‘sukseset’ e veta imagjinare, do falenderojë qeverinë dhe veçanërisht ministrat se kanë kaluar netë të tëra pa gjumë për…hallet e vendit dhe të shqiptarëve dhe në fund…do t’i rikthehet sharjeve dhe fyerjeve ndaj BE, sepse asgjë s’ka përfunduar. 

 

Go to TOP