100 ditë nga tragjedia, studentët serbë protestojnë në disa qytete

Me rastin e 100 ditëve nga tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 15 persona, studentët organizuan sot bllokada disaorëshe në Beograd, Novi Sad, Nish dhe qytete të tjera, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet.

Në Beograd, për shtatë orë u bllokua ura Gazela, një nga arteriet kryesore të trafikut në autostradën ndërkombëtare Beograd–Nish. Protesta u organizua me sloganin “Shkelim mbi Gazelën sepse ju shkelni drejtësinë”, ndërsa të pranishmit thanë se nuk do të heqin dorë dhe se mbeten të vendosur në kërkesat e tyre.

Në fillim të bllokadës u lexuan emrat e 15 personave që humbën jetën nga shembja e mbulesës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, dhe në orën 11:52 pasuan 15 minuta heshtje. Më pas, studentët hodhën në lumin Sava trëndafila të bardhë të lyer me ngjyrë të kuqe, në shenjë përkujtimi për viktimat.

“Presim një Serbi më të mirë dhe një jetë më të mirë këtu,” tha një studente.

Ndërsa një student tha: “Ne mbetemi të vendosur në kërkesat tona. Besoj se kaq mund të na plotësojnë”.

“Jemi mbledhur me një qëllim, që të përmbushen kërkesat e studentëve dhe për një të ardhme më të mirë,” tha një studente që mbante një pankartë me mbishkrimin “Nga të dy anët e lumit. Qyteti është i yni”.

Studentët që bllokuan Fakultetin e Bujqësisë në Beograd ishin ata që iniciuan bllokimin e urës Gazela, duke theksuar se që nga tragjedia në Novi Sad, të gjitha parimet në Serbi janë shkelur dhe zhvlerësuar.

“Kanë kaluar 100 ditë nga tragjedia në Novi Sad dhe askush ende nuk ka mbajtur përgjegjësi për humbjen e 15 jetëve. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të marrin përgjegjësinë e tyre,” thuhet në njoftimin e studentëve.

Në bllokadën e Gazelës, studentëve iu bashkuan edhe fermerë me traktorë dhe një grup motoristësh. Ndër pjesëmarrësit kishte edhe qytetarë që shprehën mbështetje për studentët.

“Sistemi nuk funksionon, dhe faleminderit studentëve që e artikuluan qartë këtë gjë. Më në fund kemi dikë që të mbështesim,” tha një pjesëmarrëse e protestës.

Gjatë bllokadës, e cila zgjati nga ora 11:00 deri në 18:00, trafiku u ndërpre në nyjen pranë “Qendrës Sava”, në anën e Beogradit të Ri. Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera.

Në Novi Sad, tri kryqëzime u bllokuan për tre orë, ndërsa në rrugë u shkruan mesazhet “100 ditë, 0 përgjegjësi” dhe “Duart tuaja janë të përgjakura”. Në Nish, u bllokua pika e pagesës në hyrje të qytetit, ndërsa në Zrenjanin, Qiqevc, Sombor dhe Paraqin u mbajtën marshime protestuese.

Në të njëjtën kohë, një grup studentësh nga Kragujevci nisi një maratonë stafetë drejt Beogradit. Pesë studentë pritet të arrijnë te Kisha e Shën Savës rreth orës 22:00, ku do t’i presin qytetarët. Në atë tubim do të paralajmërohet edhe protesta e ardhshme gjithëditore, e cila është planifikuar të mbahet në Kragujevc më 15 shkurt, në Ditën e Shtetësisë së Serbisë.


Go to TOP