10 mijë qytetarë të Prishtinës ende pa rrymë, KEDS del me njoftim

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike, ka njoftuar se rreth 10,000 konsumatorë të kryeqytetit për më shumë se dhjetë orë vazhdojnë të mos kenë energji elektrike, pas zjarrit që ka shpërthyer paradite në Nënstacionin Prishtina 3.

Në njoftimin e KEDS-it thuhet se falë përkushtimit të më shumë se 50 punëtorëve, përmes linjave alternative, furnizimi me energji elektrike është kthyer për 11,000 konsumatorë të tjerë.

“Megjithatë, janë edhe rreth 10,000 konsumatorë të tjerë, të cilët vazhdojnë të mos kenë energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i KEDS-it:

Të nderuar konsumatorë,

Pas inspektimeve të nevojshme në Nënstacionin Prishtina 3 të KOSTT-it nga autoritetet relevante të Kosovës, ekipet e KEDS-it janë angazhuar menjëherë në pastrimin e ambienteve të përfshira nga zjarri dhe vlerësimin e gjendjes.

Falë përkushtimit të më shumë se 50 punëtorëve të KEDS-it, përmes linjave alternative, furnizimi me energji elektrike është kthyer për 11,000 konsumatorë.

Megjithatë, janë edhe rreth 10,000 konsumatorë të tjerë, të cilët vazhdojnë të mos kenë energji elektrike.

Dëmet e shkaktuara nga zjarri janë të mëdha, porse edhe mobilizimi i ekipeve të KEDS-it është i madh, puna e të cilëve po vazhdon dhe do të vazhdojë deri në orët e vona.

Rrjedhimisht, KEDS-i është duke i përmbushur të gjitha përgjegjësitë e veta dhe presim që KOSTT-i të aktivizojë transformatorin për të energjizuar Daljet. /Kosova.info/

Go to TOP