​10 migrantë kapen në Maqedoninë e Veriut, shoferi arratiset

Dhjetë migrantë ilegalë u gjetën sot në mëngjes rreth gjysmë ore pas mesnatës pranë Gjevgjelisë, në një automjet pasagjerësh “Volkswagen Passat”.

Megjithatë, personi që po i transportonte migrantët arriti të arratisej para se policia ta ndalonte. Ai e ka ndaluar automjetin dhe ka ikur, ndërsa policia ka gjetur vetëm migrantët.

“Shoferi i automjetit, kur e ka vërejtur patrullën e policisë nga një distancë e madhe, menjëherë e ka ndalur mjetin dhe është arratisur. Nëpunësit policor kanë kryer kontroll në automjet, ku janë gjetur 10 migrantë: 9 nga Egjipti dhe 1 nga Siria. Është kryer edhe kërkim në terren për të gjetur personin e panjohur që drejtonte automjetin. Është zhvilluar hetim dhe është njoftuar Prokurori Publik”, njofton Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Nga Prokuroria për Alsat konfirmuan se prokurori publik kujdestar po punon mbi rastin dhe se do të kërkohet paraburgim efektiv për personin që ende është në arrati, por nuk zbulojnë më shumë detaje. Nga policia informojnë se ende po vazhdon kërkimi për të.

Ky nuk është rasti i parë i kontrabandës me migrantë pranë pikës kufitare Bogorodicë në Gjevgjeli. Vetëm një muaj më parë, policia arrestoi dy kontrabandistë migrantësh, në automjetet e të cilëve u gjetën gjithsej 13 persona – 11 nga Egjipti dhe 2 nga Siria.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, nga 1 janari deri më 31 mars të këtij viti në vend janë regjistruar gjithsej 1.042 migrantë, shumica nga Afganistani, pastaj nga Maroku, Egjipti, Siria dhe Algjeria.


Go to TOP