Zyrtare: Shkarkohet Ardian Nuhiu

Skuadra e Dritës ka ndarë rrugët me trajnerin e skuadrës, Ardian Nuhiu.

Në zyrat e skuadrës së Dritës, në një konferencë të jashtëzakonshme, është njoftuar ndërprerja e bashkëpunimit mes klubit dhe trajnerit Nuhiu.
Drita nuk pati rezultatet e pritura këtë edicion dhe eliminimi nga Kupa e Kosovës ishte goditja të cilës s’i rezistoi dot Nuhiu.

“Arsyeja e thirrjes së konferencës së jashtëzakonshme është vendimi që kemi marrë për vendimin e ndërprerjes së bashkëpunimit me trajnerin Nuhiu. Arsyeja mund të lidhet me eliminimin e hershëm nga Kupa e Kosovës. Menjëherë pas ndeshjes jemi takuar me presidentin, kemi biseduar edhe me trajnerin dhe vendosëm të ndërpresim bashkëpunimin katërvjeçar. E falënderojmë për kontributin dhe suksesin në futbollin vendor edhe atë ndërkombëtar. I dëshirojmë suksese në karrierën dhe e falënderojmë përzemërsisht për të mirat që i dha klubit tonë. Me plot bindje them se nuk është lamtumirë, por vetëm një mirupafshim”, tha drejtori gjeneral.

“Dua të sqaroj çështjen e djeshme. Së pari edukata nuk ma lejon, apo profesionalizmi, sepse jam i obliguar të dal para mediave pas çdo ndeshje. Nuk ishte hera e parë që humbim një ndeshje, gjithmonë duhet të jemi para mediave, me shumë përgjegjësi, sepse puna jonë është e tillë sepse ne nuk funksionojmë pa ju e as ju pa neve. Dua të falënderoj këtë familje të madhe të klubit Drita. Katër vite të jashtëzakonshme. Emocione, histori, fitore, humbje, dhimbje e për më tepër gëzime. Falënderoj 2 presidentët dhe drejtuesit që gjithmonë, 24 orë kemi qenë bashkë për të mirën e kësaj skuadre. Falënderoj edhe tifozët, mbështetja ka qenë e jashtëzakonshme nëpër stadiume. Stafit tim, stafit mjekësor, dhe më të rëndësishmjt, secili futbollist që kaloi këtë derë gjatë këtij rrugëtimi i jam falënderues i jashtëzakonshëm sepse pa ta s’do t’i kishim sukseset. Dhe ky klub do të ketë vend të veçantë në zemrën time sepse vërtet kemi kaluar jashtëzakonisht mirë”, tha Nuhiu.

Mbetet të shihet se kush do ta marrë timonin e skuadrës së Dritës, pas shkarkimit të Nuhiut.

Go to TOP