Zyrtare: Llapi përforcohet me Suad Sahitin
Ish-reprezentuesi i Kosovës, Suad Sahiti ka nënshkruar për një vit e gjysmë me Llapin.
Klubi futbollistik, Llapi ka njoftuar se Suad Sahiti është përforcimi më i ri i Llapit. 28-vjeçari ka firmosur sot kontratën që e mban lidhur me klubin deri në verën e vitit 2024.
Pas disa ditëve negociata me futbollistin, gjatë ditës së sotme është arritur marrëveshja finale për nënshkrimin e kontratës një vjeçare e gjysmë.
Sulmuesi i djathtë ka eksperiencë të pasur në Greqi, Bullgari, Poloni e së fundmi në Kroaci, ku ishte pjesë e skuadrës së Sibenikut.
Sahiti në vitin 2014 iu bashkua skuadrës së Rabotniçkit në Maqedoni, kurse tri vite më pas u transferua në Shqipëri te Skënderbeu.
Pas një edicioni, sulmuesi i djathtë u transferua tek AE Larisa në Greqi, kurse karrierën e ka vazhduar edhe tek Semptevri Sofia (Bullgari) dhe Wisla Plock (Poloni).
Nga edicioni 2020/21, Sahiti luajti për Sibenikun në Kroaci kurse nga sot do t’i mbrojë ngjyrat e Llapit.
“Suadit i dëshirojmë mirëseardhje dhe suksese me ngjyrat bardhekaltër të KF Llapi”, njofton klubi nga Podujeva.
