Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave ka trajtuar 58 raste
Gjatë periudhës 5–12 qershor 2026, në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, mbrojtësit e viktimave në nivel të Kosovës kanë trajtuar gjithsej 58 raste të reja.
Sipas të dhënave zyrtare, nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara, 51 kanë qenë raste të dhunës në familje, dy raste të dhunimit, një rast i kanosjes dhe katër raste të shkeljes së urdhrit mbrojtës.
Gjatë kësaj periudhe, në gjykata janë parashtruar një kërkesë për urdhër mbrojtjeje, 10 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente, një kërkesë për ndryshim të urdhrit mbrojtës dhe një kërkesë për ndërprerjen e tij. Po ashtu janë dorëzuar tri parashtresa, ndërsa gjykatat kanë aprovuar 12 aktvendime.
Mbrojtësit e viktimave kanë marrë pjesë në 57 seanca gjyqësore dhe 13 seanca në prokurori, ndërsa kanë ofruar 64 këshilla juridike për viktimat dhe palët e përfshira.
Në aspektin e vendimeve gjyqësore, gjatë javës janë evidentuar 15 aktgjykime dënuese dhe tri aktgjykime refuzuese.
Ndërkaq, për ofrimin e mbështetjes institucionale dhe sociale, janë realizuar referime të rasteve në institucione të ndryshme, përfshirë një referim në Polici, dy referime në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas (ANJF), një referim në CLARD dhe pesë referime në Qendrën për Punë Sociale (QPS).
Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave vazhdon të ofrojë mbështetje dhe mbrojtje për viktimat e veprave penale në gjithë territorin e Kosovës, me fokus të veçantë në rastet e dhunës në familje dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave. /Kosova.info/
