Zymberi: I bëjmë apel qeverisë të merret me punët e veta e jo me organizimin sindikal

Pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se duhen reforma nëpër sindikatat e Kosovës, Mursel Zymberi, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, i është kundërpërgjigjur Kurtit, duke thënë se qeveria nuk duhet të përzihet në punët e sindikatave, por të merret me punë të tjera që, sipas tij, ka mjaft.

“I bëj apel qeverisë t’i shohë punët e veta, sepse ka mjaft çka me shiku e me punu, nuk ka nevojë të merret me organizimin sindikal”, ka thënë Zymberi për Info Magazine.

Sipas Zymberit, deklarata e kryeministrit është shqetësuese dhe po provon të fusë përçarje ndërmjet sindikalistëve.

“Deklarata e kryeministrit Kurti ishte shumë shqetësuese dhe ne e kemi kuptuar si deklaratë përçarëse. Është deklaratë që s’ka ndodhur asnjëherë që pas luftës, asnjëherë, asnjë kryeministër të deklarohet dhe të përzihet në punët e organizimit sindikal. Kjo është shumë anomali e madhe, dikush të përzihet në sindikata për faktin se sindikatat u japin llogari vetëm punëtorëve e në asnjë mënyrë qeverisë”, ka vazhduar ai.

Zymberi tha se Kurti po e sheh si të pamundur premtimin që ka dhënë, se me ardhjen në pushtet do të miratojë Ligjin e Pagave, andaj sipas Zymberit, kryeministri e ka parë që nuk është aq e lehtë dhe po dëshiron që të përfitojë me kohë dhe të fusë përçarje, në mënyrë që të mos ketë presion nga sindikatat.

“Po provohen të politizohen tani. Deri tani asnjë politizim nuk është shpërfaqur nëpër sindikata. Por tash, me këtë reagim, kjo thjesht po provohet të politizohet, për vetë faktin se kjo qeveri ka filluar t’i pranojë në takime disa individë të caktuar të sektorëve dhe nuk bisedon drejtpërdrejt me kryetarët e sindikatave”, ka shtuar ai.

Të provohet të ndërhyhet është e papranueshme dhe e pafalshme dhe mund të shkaktojë edhe rreziqe më të mëdha.

Go to TOP