LAJMETTop Lajmi

Osmani: Majlinda nuk u josh nga ofertat e tjera, i qëndroi besnike Kosovës

Me rastin e përfundimit të karrierës së saj të lavdishme presidentja Vjosa Osmani ka dekoruar sot në një ceremoni shtetërore xhudisten Majlinda Kelmendi me çmimin e heroinës Shotë Galica.

Me këtë rast e para e vendit e vlerësoi lart xhudisten nga Peja duke thënë se ajo është simbol i shpirtit luftarak.

“Majlinda është krenaria e vendit tonë. Ajo ka sfiduar sportin e xhudos duke fituar çdo gjë që mund të fitohet. Falë përkushtimit të saj, flamuri i Kosovës valoi në shumë vende të botës. Ajo është shumë më shumë se sa çmimet që i fitoi. Ajo është simbol i kurajës dhe shpirtit luftarak”, tha Osmani.

Ajo shtoi se Kelmendi iu përkushtua Kosovës duke refuzuar oferta të shumta nga vendet e ndryshme të botës.

“Majlinda nuk u josh nga ofertat e shteteve të shumta, por i qëndroi besnike shtetit të saj Kosovës. Së bashku me trajnerin Driton Kuka, ajo e bëri një punë të jashtëzakonshme duke prezantuar vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Osmani.

Ndryshe, Majlinda Kelmendi tashmë ka nisur punën e saj si trajnere e gjeneratave të reja në xhudo.

Shfaq më shumë