ZRRE e Banka Botërore bashkëpunim për avancimin e tregut energjetik në vend
Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka zhvilluar sot një takim me ekipin e Bankës Botërore, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm për avancimin e sektorit energjetik në Kosovë.
Sipas njoftimit, gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në mbështetjen teknike (TA) lidhur me metodologjinë e kufizimit (Curtailment Methodology) dhe përditësimin e Rregullave të Tregut. Palët shqyrtuan gjithashtu çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e tregut të energjisë, përfshirë aspektet rregullatore dhe legjislacionin përkatës që mundëson një operim efikas dhe transparent të sektorit.
“ZRRE theksoi rëndësinë e harmonizimit të mëtejshëm të kornizës ligjore dhe rregullatore me praktikat ndërkombëtare, me qëllim krijimin e një tregu të qëndrueshëm, konkurrues dhe të orientuar drejt integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë”, thuhet në njoftim.
ZRRE thotë se vlerëson lart bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Banka Botërore, në zhvillimin e një sektori energjetik të qëndrueshëm dhe të besueshëm në vend. /Kosova.info/
