Zjarrfikësit e Prishtinës përfitojnë shërbime shëndetësore falas
Në një iniciativë të rëndësishme të bashkëpunimit mes Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe Drejtorisë së Shëndetësisë, Brigada e Zjarrfikësve të Kryeqytetit tashmë do të përfitojë shërbime shëndetësore falas.
Kjo nismë u realizua me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së zjarrfikësve – heronjve që përkujdesen çdo ditë për sigurinë e qytetarëve. Në kuadër të kësaj iniciative, zjarrfikësve do t’u ofrohen kontrolle rutinore vjetore, shërbime të fizioterapisë, analiza laboratorike, dhe trajtime të tjera shëndetësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
“Kujdesi për shëndetin dhe mirëqenien e zjarrfikësve tanë është një detyrim moral, por edhe një falënderim për punën e tyre të jashtëzakonshme. Kjo iniciativë shpreh mirënjohjen tonë të thellë për sakrificat e tyre të përditshme,” deklaroi Përparim Rama.
Zjarrfikësit e Prishtinës shprehen të kënaqur me këtë mbështetje të re duke theksuar se shëndeti i mirë është i domosdoshëm për përballimin e sfidave që paraqet puna e tyre.
Kjo masë përforcon përkushtimin e komunës ndaj mirëqenies së shërbimeve jetike të qytetit, duke siguruar standarde më të larta për ata që qëndrojnë gjithmonë në ballë të emergjencave. /Kosova.info/
