“Zero tolerancë ndaj ryshfetit”, por Albin Kurti ende e mban zëvendësministër Almir Velijin që u kap me incizim duke kërkuar ryshfet

“Zero tolerancë ndaj ryshfetit, zero tolerancë ndaj korrupsionit”. Që nga dita kur erdhi në pushtet, kryeministri Albin Kurti në paraqitje publike e ka ‘gojën plotë’ antikorrupsion. Në praktikë po vepron krejt ndryshe. I pari i qeverisë, ende nuk e ka marrë guximin ta shkarkojë nga detyra zëvendësministrin e tij të përfshirë në ryshfet, Almir Velijin.

Janë bërë pothuajse dy muaj që kur Gazeta Insajderi publikoi një audio-incizim në të cilin dëgjohet teksa zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji e heq një qytetar nga lista e aplikuesve për një grant qeveritar pasi i njëjti kishte refuzuar të jepte ryshfet.

Edhe pse provat janë bërë publike, ndaj tij qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për shkarkim.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti vazhdon të paraqitet si një udhëheqës i cili po punon në luftimin e korrupsionit. Në takimin e parë të punës për hartimin e Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit, Kurti tha se janë duke e përmbushur zotimin në rrugën drejt një shoqërie të çliruar nga korrupsioni.

As në këtë takim nuk munguan pretendimet e Kurtit se sistemi prokurorial dhe gjyqësor po e pengojnë, pasi sipas tij nuk po zhvishen nga ndikimet politike.

“Ne duam etablim të shoqërisë që tregon zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit, e kontratave në këmbim të parave”, deklaroi Kurti.

Në fillim të muajit mars, Gazeta Insajderi raportoi se në Policinë e Kosovës janë dorëzuar prova të reja kundër Almir Velijit. Ky i fundit kishte kërkuar ryshfet nga një qytetar për të fituar grantin qeveritar prej 70 mijë eurosh për të cilin kishte aplikuar.

Dëshmitari i këtij rasti pretendon se bisedat telefonike mes tij dhe Velijit janë zhvilluar në shtator të vitit 2022. Aty dëgjohet teksa Veliji kishte kërkuar ryshfet të majmë nga qytetari mirëpo e kishte koduar atë. Dëshmitari iu ka thënë hetuesve se një mijë euro ishin konvertuar në kodin “një çokollatë milka”.

“Shokit 13 qokollada a mundet vete, ashtu më than. Milka. Më lajmëro të lutem. Çka me i thanë”, kishte thënë Almir Veliji-siç pretendon dëshmitari i Policisë në këtë rast dhe thotë se këto biseda i ka deponuar tek autoritetet.

Pasi qytetari kishte refuzuar ryshfetin, Veliji i nervozuar kishte thënë “tash e heki nga lista e aplikuesve”.

Përpos këtij rasti, në janar të këtij viti Gazeta Insajderi publikoi një audio-incizim që dëshmonte përfshirjen në ryshfet të zëvendësiminitrit të qeverisë Kurti. Ai ishte përfshirë në një afer për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

Krejt çka mungonte në këtë proces, sipas bisedës që zhvillohet mes personit X dhe Almir Velijit mbetet përcaktimi i çmimit të ryshfetit që do të jepej që granti qeveritar të realizohej./Insajderi

Go to TOP