Zelensky tregon sa territor të pushtuar nga Rusia morën forcat ukrainase
Forcat ukrainase kanë marrë edhe më shumë territor të pushtuar nga Rusia derisa vazhdojnë kundërofensivën e tyre, ka thënë presidenti ukrainas.
Volodymyr Zelensky tha se trupat tani kanë rimarrë më shumë se 6,000 km katrorë nga kontrolli rus në shtator, në lindje dhe në jug.
BBC, që raporton lajmin, thotë se nuk mund t’i verifikojë këto shifra.
Rusia ka pranuar humbjen e qyteteve kryesore në rajonin verilindor të Kharkiv. Kjo u pa nga disa ekspertë ushtarakë si një përparim i mundshëm në luftë.
Moska e përshkruan tërheqjen e trupave të saj nga rajoni ditët e fundit si një “rigrupim” me synimin për t’u fokusuar në rajonet Luhansk dhe Donetsk në lindje të Ukrainës.
Ky pretendim është kthyer në objekt talljeje edhe në Rusi, ku shumë përdorues të mediave sociale atje e përshkruan tërheqjen e deklaruar si “të turpshme”.
Duke folur për BBC të hënën në mbrëmje, Mason Clark i institutit kërkimor me bazë në SHBA, Instituti për Studimin e Luftës (ISË), tha se kjo ishte “një shkatërrim i plotë” i trupave ruse, të cilat u detyruan të linin shumë pajisje pas.
Ndërsa të hënën, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, tha se forcat ukrainase kishin bërë “përparim të rëndësishëm” në kundërsulmin e tyre, por shtoi se ishte shumë herët për të parashikuar rezultatin.
“Rusët mbajnë forca shumë të rëndësishme në Ukrainë, si dhe pajisje, armë dhe municione. Ata vazhdojnë t’i përdorin ato pa dallim jo vetëm kundër forcave të armatosura ukrainase, por civilëve dhe infrastrukturës civile siç kemi parë”,tha Blinken.
Rusia ende mban rreth një të pestën e vendit pasi presidenti rus, Vladimir Putin, më 24 shkurt urdhëroi për pushtim të plotë në Ukrainë.
