Zelensky: Riparimi i naftësjellësit `Druzhba` nuk ia vlen
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se riparimi i naftësjellësit “Druzhba”, i cili furnizon me naftë ruse disa vende të Evropës Qendrore, nuk është prioritet nëse kjo rrezikon jetën e qytetarëve ukrainas.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kiev me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Zelensky tha se ushtria ruse po sulmon qëllimisht ekipet që punojnë në riparimin e infrastrukturës energjetike.
“Për çfarë duhet ta riparojmë? Për të humbur njerëz? Ky është një çmim shumë i madh”, tha ai.
Zelensky kritikoi gjithashtu kryeministrin hungarez, Viktor Orbán, i cili ka bllokuar disa vendime të Bashkimit Evropian në mbështetje të Ukrainës, duke e lidhur këtë me ndërprerjen e furnizimit me naftë përmes këtij tubacioni.
Sipas presidentit ukrainas, Moska është përgjegjëse për dëmtimet e përsëritura të naftësjellësit.
“Rusia i ka shkatërruar këta naftësjellës disa herë. Nuk mund të jetë që Rusia shkatërron dhe Ukraina riparon”, theksoi ai, duke shtuar se Hungaria duhet t’i kërkojë Rusisë një armëpushim energjetik.
Ai nënvizoi gjithashtu se nafta ruse, e cila sipas tij financon luftën kundër Ukrainës, nuk duhet të ketë vend në tregun evropian.
Ndërkohë, sipas agjencisë Reuters, furnizimet me naftë përmes naftësjellësit “Druzhba” drejt Hungarisë dhe Sllovakisë janë ndërprerë që nga janari, pasi infrastruktura në territorin ukrainas u dëmtua nga sulmet me dronë, për të cilat Ukraina fajëson Rusinë.
Bashkimi Evropian i ka kërkuar Ukrainës të përshpejtojë riparimet për të rifilluar furnizimet, ndërsa Hungaria dhe Sllovakia kanë akuzuar Kievin për vonesa dhe kanë kërcënuar me bllokimin e ndihmës dhe masave të tjera në mbështetje të Ukrainës.
Naftësjellësi “Druzhba” është një nga rrugët kryesore për eksportin e naftës ruse drejt Evropës Qendrore, dhe ndërprerja e tij ka thelluar tensionet politike midis Ukrainës dhe disa vendeve të BE-së, në një kohë kur lufta me Rusinë vazhdon.
