Zelensky: Jam gati për çdo format takimi me Putinin, por Moska po e vonon

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha sot se është gati për çdo format takimi me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, por, siç vlerësoi ai, “Moska po përpiqet përsëri të vonojë gjithçka”.

Në një bisedë telefonike me Presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, Zelensky i bëri thirrje vendeve të Jugut Global që t’i bëjnë presion Rusisë për të filluar negociatat e paqes.

“Është e rëndësishme që Jugu global të dërgojë sinjale të qarta dhe ta inkurajojë Rusinë për paqe”, shkroi Zelensky në platformën X, pas bisedës telefonike.

Zelensky deklaroi se e informoi presidentin e Afrikës së Jugut rreth përpjekjeve të përbashkëta diplomatike dhe takimeve produktive me Presidentin e SHBA-së në Uashington.

“E theksova përsëri se është e nevojshme t’i japim fund luftës, të cilën askush përveç Rusisë nuk e ka kërkuar ndonjëherë. Ne duhet të ndalojmë vrasjet dhe shkatërrimin,” shtoi Zelensky.

Zelensky prezanton paketa të reja sanksionesh kundër kompanive dhe individëve që mbështesin Rusinë

Volodymyr Zelensky nënshkroi dy dekrete që vendosin në fuqi paketa të reja sanksionesh kundër kompanive dhe qytetarëve të vendeve të tjera që mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë.

Në një postim në Facebook, Zelensky tha se dekreti i parë përfaqëson “sinkronizimin me sanksionet e partnerëve”, veçanërisht me ato të vendosura nga Kanadaja kundër kompanive dhe individëve, raporton Ukrinform.

“Ky është sinkronizimi 100 për qind i sanksioneve kanadeze të këtij viti kundër 139 individëve dhe personave juridikë që mbështesin luftën ruse. Së bashku me partnerët tanë, po përgatisim edhe një vendim për sinkronizimin e sanksioneve ukrainase në juridiksionet partnere. Të gjithë ata që ndihmojnë Rusinë të vazhdojë vrasjet dhe të ndërtojë makinën e luftës për agresion të mëtejshëm duhet të ndiejnë presionin real nga bota”, theksoi Zelensky.

Sipas tij, dekreti i dytë vendos sanksione kundër 28 qytetarëve nga vende të ndryshme që “ndihmojnë në mënyrë të barabartë rusët për të ruajtur regjimin e pushtimit” në Ukrainë dhe që, sipas tij, “në fakt sponsorizojnë shtetin rus”.

“Të gjithë bashkëpunëtorët e pushtuesve rusë do të mbahen përgjegjës, në një mënyrë ose në një tjetër, për atë që kanë bërë kundër Ukrainës dhe ukrainasve”, theksoi Zelensky.


Go to TOP