Zeka: Raportet e Kosovës me ShBA-në janë përkeqësuar

Raportet aktuale ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë përkeqësuar pas zhvillimeve të fundit në vend, veçanërisht me rregulloren e BQK-së sa i përket dinarit. Kështu deklaroi, Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka i cili shtoi se Kosova duhet të ketë parasysh se veprimet e pakoordinuara me aleatët ndikojnë në përkeqësimin ekonomik të vendit.

Në një intervistë për KosovaPress, Zeka duke komentuar marrëdhëniet Kosovë-Amerikë, thotë se deklaratat e zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit do të ndikojnë tek investitorët për të zgjeruar operacionet në Kosovë, për çfarë thotë se është duke u dëmtuar edhe ekonomia e Kosovës.

Zeka thotë se Qeveria jonë nuk duhet të harrojë asnjëherë kontributin e SHBA-së ndaj Kosovës për shtet ndërtim.

“Nëse nisemi prej raporteve aktuale ndërmjet dy qeverive, atëherë pashmangshëm ka një përkeqësim në aspektin e cilësisë së raporteve siç është konfirmuar edhe nga përfaqësues direkt të Qeverisë Amerikane, por edhe atyre që e përfaqësojnë shtetin amerikan në Kosovë, dhe kjo vije si pasojë e mos koordinimit të veprimeve të Qeverisë së Kosovës me aleatët ndërkombëtar, në rend të parë me ShBA-të, por natyrisht edhe me BE dhe shtetet anëtare të BE-së. Është e rëndësisë së jashtëzakonshme që Qeveria e Kosovës të ketë parasysh raportin shkak-pasojë edhe mënyrën se si veprimet e saj të pakoordinuara me aleatët të ndikojnë pastaj në përkeqësimin ose në të kundërtën në avancimin e raporteve me këta aleatë. Duhet kohë pas kohe të rikujtojmë edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, qytetarët për kontributin që ShBA-të kanë dhënë për Kosovën, por natyrisht edhe BE, shtetet individuale të Evropës Perëndimore që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Kosovën në aspekt të shtet ndërtimit”, deklaron Zeka.

Kreu i Odës Amerikane, thotë se nëse investitorët amerikan marrin parasysh deklaratat e zyrtarëve të departamentit amerikan, edhe vendimmarrja e tyre për të zgjeruar operacionet në Kosovë do të zbehet.

“Patjetër (se dëmtohet imazhi i vendit në aspektin ekonomik) nëse investitorët amerikan marrin parasysh deklaratat e zyrtareve të departamentit amerikan të shtetit apo edhe të përfaqësueseve të Ambasadës Amerikane ose akterëve të tjerë, atëherë natyrshëm që këto deklarata kanë ndikim edhe në vendimmarrjen e tyre për të zgjeruar operacionet në Kosovë”, thotë Zeka.

Ndonëse po bëhen gati një vit nga vendosja e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian karshi Kosovës, Zeka konsideron se sanksionet e tilla janë goditja më e madhe në të gjitha përpjekjet për sigurimin e njohjeve të reja. Ndërsa, shton se Qeveria e Kosovës duhet të zbatojë zotimet që ka marrë përsipër edhe me marrëveshjen e Ohrit, por edhe me marrëveshjet tjera.

“Përtej pamundësisë së vendit që të absorbojë ose të vë disa prej këtyre mjeteve financiare në shërbim të zhvillimit ekonomik ose të përmirësimi të gjithmbarshme të gjendjes socio-ekonomike, aspekti më negativ i vendosjes së masave të tilla, realisht është mbi imazhin e vendit. Një vend i ri, një shtet i ri i cili ka akoma të bëjë në aspektin e shtet ndërtimit dhe në aspektin e fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar ballafaqohet me sanksione të tilla, është goditja më e madhe në të gjitha përpjekjet tona edhe për anëtarësim në organizata tjera ndërkombëtare. Po ashtu edhe për sigurim të njohjeve të reja, por aq më tepër në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja direkte, meqenëse në fund të fundit investitorët nuk është që thellohen në analiza të arsyeve që kanë çuar në vendosjen e masave të tilla ndëshkimore ndaj Republikës së Kosovës…Ekziston nevoja e jashtëzakonshme që Qeveria e Kosovës të koordinohet edhe me ShBA-të, por edhe me BE-në, por mbi të gjitha të zbatojë zotimet që ka marrë përsipër edhe me marrëveshjen e Ohrit, por natyrisht edhe me marrëveshjet tjera”, thotë Zeka.

Mes tjerash, Zeka ka shprehur shqetësim edhe sa i përket mosrealizimit të projekteve kapitale të parapara nga viti 2021 deri më tani. Megjithatë, ai thotë se këtë vit duket se qeveria është pak më e përkushtuar që të qojë ose realizojë deri në fund investimet kapitale të parapara me buxhetin për vitin 2024. Ai shton se nuk dihet nëse kjo lidhet me faktin që në një mënyrë ose tjetër, po hymë në periudhën e fundit parazgjedhjeve të përgjithshme të cilat pritet të mbahen qoftë në afatin e rregullt.

“Ne kemi shprehur në vazhdimësi shqetësimin tonë për sa i përket mosrealizimit të projekteve kapitale të parapara në vitin 2021, 2022 dhe 2023, ne si Odë Amerikane kemi thënë në mënyrë të vazhdueshme që megjithatë investimet kapitale e kanë një ndikim jashtëzakonisht të madh ekonomik për shkak të efektit multiplikativ që kanë. Duket që këtë vit, qeveria është pak më e përkushtuar që të qojë ose realizojë deri në fund investimet kapitale të parapara me buxhetin për vitin 2024. Nuk e di nëse lidhet me faktin që në një mënyrë ose tjetër, ne po hymë në këtë periudhën e fundit parazgjedhjeve të përgjithshme të cilat pritet të mbahen qoftë në afatin e rregullt, ose në afate të tjera, por megjithatë duket se qeveria së paku në disa projekte të ndryshme infrastrukturore ka vënë fokus më të madh, dhe urojmë që kjo të përcillet edhe më projekte të tjera infrastrukturore për të cilat vendi ka nevojë jashtëzakonisht shumë”, përfundon Zeka.

Go to TOP