Zebica: Buxheti i Prishtinës u dërgua sot në Ministrinë e Financave, akuzat ndaj Qeverisë janë të pavërteta

Analisti Kujtim Zebica ka reaguar lidhur me debatet e fundit për buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2026 duke hedhur poshtë pretendimet se Qeveria e Kosovës po e bllokon qëllimisht miratimin e tij.

Sipas Zebicës, më 18 shkurt 2026, Komuna e Prishtinës e ka dërguar zyrtarisht buxhetin në Ministrinë e Financave, ndërsa Kuvendi Komunal e kishte votuar atë më 6 shkurt 2026. Ai thekson se zyra ligjore e komunës ka marrë rreth dy javë kohë për verifikimin e dokumentit para se të procedohej për në ministri.

“Ndërkohë, këto ditë kemi parë konferenca për shtyp nga kryetari dhe deklarime në Kuvendin e Kosovës kinse qeveria nuk po e voton qëllimisht buxhetin e Prishtinës. Të gjitha të pavërteta. Ky dokument i hedh poshtë krejt deklarimet e tyre”, ka deklaruar Zebica.

Ai ka kritikuar ashpër kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama duke e cilësuar si një nga politikanët me “logjikën publike dhe ligjore më sharlataneske” që nga ekzistimi i institucioneve në vend.

Sipas Zebicës, përgjegjësia për procedimin e buxhetit i takon Kuvendit Komunal, i cili ka obligim ta dërgojë atë për verifikim të ligjshmërisë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e më pas në Ministrinë e Financave.

Ai paralajmëron se qytetarët e Prishtinës do të përballen me pasoja afatgjata si rezultat i, sipas tij, një qeverisjeje të papërgjegjshme në kryeqytet. /Kosova.info/


Go to TOP