Zbulohet një magazinë kanabisi me llamba në Peqin

Një magazinë ku kultivohej kanabis me anë të llambave është zbuluar ditën e sotme në Peqin, ku në pranga ka rënë pronari i saj. Mësohet se është arrestuar G. K., 37 vjeç, banues në Peqin, teksa e kanë pësuar drejtori i OShEE-së dhe 2 punonjës të këtij institucioni.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar pajisje elektrike dhe sende të tjera që shërbenin për të kultivuar bimët narkotike, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike cannabis.

Në kuadër të operacionit të koduar “Inside”, u  arrestua shtetasi G. K., 37 vjeç, banues në Peqin, pronari i magazinës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.

Gjatë kontrollit në magazinën në pronësi të 37-vjeçarit, në fshatin Fatishe, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për kultivim dhe prodhim të kanabisit, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në Peqin, me detyrë Drejtor i OShEE, Peqin, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin M. P., 60 vjeç, me detyrë elektricist i OShEE, Peqin, dhe për shtetasin A. K., 33 vjeç, me detyrë faturist i këtij institucioni.

Ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. /Kosova.info/

Go to TOP