Zbulime të reja arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës, gjendet skeleti i një kalorësi dhe kalit të tij
Gjatë fazës përmbyllëse të gërmimeve arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës, janë identifikuar mbetjet skeletore të një mashkulli të ri, të pozicionuar brenda një muri të periudhës së antikitetit të vonë, së bashku me skeletin e një kali të zbuluar në afërsi.
Struktura në fjalë i përket një faze më të hershme fortifikimi ndoshta e shekullit gjashtë erës sonë, e cila më pas është dëmtuar dhe ripërdorur si bazament për ndërtimet mesjetare.
Pamela Llapaj-drejtuesja e gërmimeve tha se skeleti i njeriut është zbuluar i shtrirë diagonalisht, me bustin brenda murit dhe këmbët që dilnin jashtë tij. Pak më larg, por në të njëjtin nivel dhe kontekst ndërtimor, është zbuluar skeleti i një kali.
“Pozicioni i skeletit ngre hipoteza për një formë të pazakontë varrimi, ndoshta me funksion ritual apo simbolik, tipik për figura ushtarake të kohës”, tha ajo.
Ky zbulim pason punën e mëparshme të arkeologut Damian Komata, i cili kishte identifikuar një pjesë muri brenda galerisë së kalasë.
“Edhe pse konkluzionet përfundimtare do të varen nga analizat e mëtejshme antropologjike dhe stratigrafike, vetë fakti që një individ , ndoshta luftëtar, dhe kali i tij janë gjetur në këtë pozicion, e pasuron mozaikun historik të zonës dhe nxit pyetje të reja mbi zakonet dhe praktikën funerale të kohës”, tha Llapaj.
Gjetjet e këtij sezoni pritet të kontribuojnë në ndriçimin e një periudhe disi të errët e ende pak të njohur të historisë, raporton TopChannel.
