Yuri Kim: Gjyqtarët të japin drejtësi dhe jo të bëjnë hakmarrje personale

Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, Yuri Kim nuk do të largohet së shpejti nga vendi, por duket se do të qëndrojë edhe pas mbarimit të mandatit në janar për të parë ecurinë e reformave me rëndësi për vendin.

Kim tha se do të qëndrojë pak më gjatë, ndërsa ka vënë theksin se Shqipëria duhet të kalojë në fazën tjetër me drejtësinë e re. Ambasadorja tha se SHBA do e mbështesë Shqipërinë dhe të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe shqiptarët duke ecur para me reformat integruese. Këto deklarata Kim i bëri në konferencën “Konsolidimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor”.

“Kjo nuk është kohë për t’u çlodhur. Ne duhet të festojmë për përparimin që kemi bërë së bashku deri tani. E kemi bërë së bashku, e kemi realizuar së bashku. Ndonjëherë ka qenë e vështirë, nuk mendoj se ka pasur ndonjë kohë kur ka qenë e lehtë, ndonjëherë ka pasur gabime, por kjo është në rregull, ky është një proces njerëzor. Çelësi është që mbetemi të angazhuar ndaj synimit, në mënyrë të sinqertë, në mënyrë serioze që ta dini se SHBA-të nuk do të ndalojnë, as ju nuk duhet. Unë kam 3 vite në Shqipëri dhe do të jem këtu edhe për ca më gjatë. Por kjo është ajo që kam mësuar gjatë këtyre 3 viteve të mia këtu, që ka një sfidë të madhe këtu, kjo nuk ndodh sepse Shqipëria është unike, është në mënyrë unikale e keqe, në mënyrë unikale e korruptuar, jo. Por ka histori dhe duhet të ndiejmë empati për historinë që ka ky vend. Ka ardhur koha për të thënë që Shqipëria është gati për fazën tjetër. Nuk mund të vazhdojmë më kështu. Në korrik BE-ja filloi në mënyrë zyrtare negociatat për hyrjen tuaj në klubin e ëndrrave. Ju jeni ulur me ne, ngjitur me ne, fjalë për fjalë. Ju respektoheni si një zë për çështjet globale. Ka zhvillime strategjike kaq pranë për t’u bërë të vërteta në vendin tuaj”, tha Kim

Ambasadorja foli edhe për plotësimin e gjykatave dhe mos ndikimin e tyre nga politika. Kim shtoi se gjyqtarët duhet të japin drejtësi dhe jo të kryejnë hakmarrje personale. Në lidhje me plotësimin e Gjykatës së Lartë, Kim tha se duhet krijuar në 3 muajt e parë të vitit 2023 dhe se synimi i tyre duhet të jetë zgjidhja e çështjeve të mbartura ndër vite.

“Keni krijuar KLGJ për përmirësimin e efikasitetit gjyqësor. Jemi krenar që jemi partner me BE-në jo vetëm në mbështetje të KLGJ-së. Ne e dimë që Reforma në Drejtësi është e rëndësishme jo vetëm që përmbush një kërkesë për anëtarësimin në BE, por për popullin shqiptar. 4 vite më parë në Gjykatën e Lartë ishte një gjyqtar. Besoj se brenda 3 mujorit të parë të 2023 Gjykata e Lartë do të ketë të gjithë anëtarët. Duhet të gjejmë drejtësi për njerëzit. Populli shqiptar dhe amerikan pret me padurim gjykata që janë të trajnuar me gjyqtarë që janë të gatshëm të japin drejtësi. Jo hakmarrje po drejtësi. Që të dinë që kur të vijnë në gjykatë të jenë të barabartë para ligjit. Ata do ta dinë që do marrin drejtësi në kohë. Ne e kuptojmë plotësisht frustrimin e popullit shqiptar, ‘Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar’. Kemi nevojë të bëjmë 0 numrin e çështjeve të prapambetura. Plotësojeni gjykatën dhe vendosi përparësi për çështjet më urgjente. Ka arsye për të qenë optimist për këtë brez shqiptarët. Reforma në Drejtësi po jep rezultatet konkrete. SHBA është në kahun e popullit shqiptar. Duhet të ketë më shumë kjo nuk është një kohë për t’u çlodhur, këto gjëra i kemi bërë se bashku. Ky është një proces njerëzor, por çelësi është të mbeteni në mënyrë të angazhuar në mënyrë serioze. SHBA dhe BE duan që ju të keni sukses”, tha Kim.

Ambasadorja Kim theksoi edhe një herë se SHBA e mbështet reformën në drejtësi dhe se do e bëj këtë deri në fund, pavarësisht se një pjesë nuk i pëlqen.

“Shqipëria që është si pjesë tjetër e Europës, që është Europë, kjo është ajo që ne duam për ju. Kjo është arsyeja përse investojmë në drejtësi, e di që ndonjëherë nuk iu pëlqen, është e pakëndshme ndonjëherë, do kishit dashur të kishim qenë të heshtur. Ne jemi miqtë tuaj. Ne duam që të jeni partnerët tanë të aftë të fuqishëm”, tha Kim.

Nga ana tjetër kryetarja e KLGJ-së, Nureda Llagami tha se në 4 vjet trupës gjyqësore i janë bashkuar 80 gjyqtarë të rinj.

“KLGJ ka punuar në mënyrë proaktive në përgjigje të kërkesës për burime njerëzore në sistem. Në 4 vjet trupës gjyqësore i janë bashkuar 80 gjyqtarë të rinj, të parët që kanë kaluar me integritet testin e pasurisë dhe integritetit. Krahas gjyqtarëve, KLGJ i ka kushtuar një vëmendje të veçantë edhe administratës gjyqësore. Rritja e numrit të administratës gjyqësore është pasuar edhe me një rritje të shërbimit në gjykata. Pavarësia dhe llogaridhënia duhet të jenë dorë më dorë së bashku”, tha Llagami.

Go to TOP