Ylli Zekaj nga IKD: 55 profile të larta u dënuan, asnjëri nuk mbajti burg efektiv – as deputetja Vrenezi nuk besoj se shkon në burg

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me tri vite burgim deputeten e Vetëvendosjes, Jetmire Vrenezin, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, Vernezi sa ishte inspektore e ndërtimit në Komunën e Prizrenit, së bashku me Islam Thaqin, ish-drejtor i Inspektoratit, kanë rrënuar aneks-objektin e ‘Abi Çarshia’, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Ylli Zeka nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili ka monitoruar raste të profileve të larta thotë se për 13 vite asnjë zyrtarë i profileve të larta politike nuk ka vuajtur dënim efektiv për shkelje të ligjit.

“Në këtë periudhë gati 13-vjeçare që nga shpallja e pavarësisë, kemi pasur 298 aktakuza ndaj pjesëtarëve të subjekteve politike, qoftë këta kandidatë, deputetë, ministra. Dorëheqja në këto raste kanë qenë shumë të rralla dhe të njëjtë kanë vazhduar detyrën e tyre me aktakuza. Pra vetëm tetë persona kanë dhënë dorëheqje nga pozitat publike për shkak se ndaj tyre janë ngritur aktakuza”, tha Zeka.

Sipas Zekës edhe deputetja e LVV-së, Jetmire Vrenezi është njëra nga to që pavarësisht se ka vendim gjykate, ajo vazhdon detyrën.

“Kuptohet ajo është e pafajshme deri sa të merret vendimi i shkallës së dytë”.

Përfaqësuesi i IKD-së thotë se nga këto 298 aktakuza 55 prej tyre kanë qenë të profilit të lartë siç është edhe deputetja Jetmire Vrenezi.

“Mirëpo asnjëri prej këtyre profileve nuk e kanë mbajtur asnjë ditë burg efektiv. Nuk kam shpresa edhe me rastin e deputetes Vrenezi se do të vërtetohet dënimi edhe nga Apeli pasi kemi pasur dështim në hetime, ose nëse ka pasur aktakuzë të dobët që është rrëzuar qysh në shkallën e parë të gjyqësorit. Nëse ka kaluar edhe shkallën e parë ajo gjithqysh është rrëzuar në Apel”, deklaroi tutje Zeka.

Go to TOP