YIHR në Serbi shënon 29-vjetorin e masakrës së Srebrenicës

Inciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), dega në Serbi, do të organizojë një tubim përkujtimor për të shënuar 29-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, për të bashkëndjerë dhimbjen me të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave. Tubimi do të mbahet të enjten, më 11 korrik, në orën 20:00 në parkun midis Asamblesë së Beogradit dhe presidencës serbe.

Përmes një komunikatë për media Inciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR) shkruan se së bashku me qytetarët e Republikës së Serbisë do të ndezin qirinj për t’i nderuar të vrarët dhe të ndajnë dhimbjen me të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave boshnjake.

“Në këtë mënyrë, ne duam të theksojmë gjithashtu rëndësinë e raportimit objektiv dhe të vërtetë mbi gjenocidin e Srebrenicës dhe mbledhjen komemorative. Është e një rëndësie të madhe që për këto ngjarje të mos publikohen tekste sensacionale dhe të mos jenë në shënjestër organizatorët dhe qytetarët që do të respektojnë të vrarët”, thuhet në komunikatë.

Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut më anë të këtij tubimi gjithashtu u bënë thirrje edhe një herë institucioneve të Republikës së Serbisë që të pranojnë rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin e Srebrenicës dhe ta shpallë 11 korrikun si datë përkujtimore për këtë gjenocid.

Go to TOP