Xhavit Ukaj reagon pas mos-përfshirjes në listën e LDK-së: Nuk largohem, mbetem besnik i partisë
Ish deputeti i LDK-së, Xhavit Ukaj, ka reaguar pas vendimit që emri i tij të mos përfshihet në listën për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit, pavarësisht se ishte propozuar nga dega e Prizrenit me mbështetje unanime.
Ukaj ka deklaruar se vendimi ka sjellë zhgënjim personal duke theksuar se për vite me radhë ka kontribuar në mënyrë të pandërprerë për LDK-në, veçanërisht në periudha të vështira për subjektin politik.
Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e ndërtimit të “bashkimit politik” brenda partisë duke theksuar se, sipas tij, një bashkim i vërtetë duhet të respektojë figurat që kanë qëndruar besnike ndër vite.
Në deklaratën e tij, Ukaj kujtoi edhe qëndrimin kundër vendimit për përfshirjen e Vjosa Osmani si bartëse e listës në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm duke theksuar se kundërshtimi i tij nuk ka qenë personal, por parimor.
Megjithatë, ai ka bërë të qartë se mbetet pjesë e LDK-së dhe nuk ka ndërmend të largohet nga aktiviteti politik brenda saj.
“Nuk largohem, nuk dorëzohem dhe nuk tradhtoj. LDK është shtëpia ime politike,” ka theksuar Ukaj duke u bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve që të mbështesin kandidatë që, sipas tij, kanë qenë vazhdimisht në shërbim të partisë dhe qytetarëve. /Kosova.info/
