VV refuzoi kërkesën e ZKA-së për buxhet shtesë, Hoti: Fillim i keq i kësaj legjislature, ishte e domosdoshme ajo shtesë
“Fillim i keq i kësaj legislature”.
Kështu tha Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës pas refuzimit të kërkesës për buxhet shtesë nga Zyra Kombëtare e Auditimit nga Vetëvendosje në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave.
Hoti tha se ky buxhet shtesë i kërkuar nga ZKA është i domosdoshëm në mënyrë që Zyra Kombëtare e Auditimit të arrijë të kryejë të gjitha auditimet e parapara në kohë dhe me cilësi të duhur.
Postimi i Hotit:
Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike refuzon kërkesën për buxhet shtesë nga Zyra Kombëtare e Auditimit
Ka qenë praktikë e etabluar në të gjitha legjislaturat paraprake që kërkesat buxhetore të institucioneve të pavarura, të cilat burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta, siç është rasti i Zyrës Kombëtare të Auditimit, të miratohen gjithmonë në komisionet parlamentare dhe në Kuvend. Miratimi i kërkesave të tilla është bërë nën supozimin se ato janë të bazuara në ligje dhe rregullore përkatëse.
Një qasje e tillë e Kuvendit dhe e komisioneve parlamentare sa i përket kërkesave buxhetore të institucioneve të pavarura kushtetuese siguron balancën e pushteteve dhe ruan pavarësinë e tyre nga Qeveria.
Por, në mbledhjen e sotme, deputetët e shumicës parlamentare në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike votuan kundër kërkesës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për buxhet shtesë. Ky buxhet shtesë është i domosdoshëm në mënyrë që Zyra Kombëtare e Auditimit të arrijë të kryejë të gjitha auditimet e parapara në kohë dhe me cilësi të duhur.
Kjo sjellje e shumicës parlamentare është një fillim i keq i kësaj legjislature. Ky veprim tregon tendencën se si pritet të menaxhohet paraja publike në vitet në vijim, duke bërë gjithçka që të pamundësohet mbikëqyrja adekuate e shpenzimeve buxhetore.
