VV: Plane të mëdha për ta bërë Prizrenin qendrën më të madhe të zhvillimit

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore në qytetin e Prizrenit, duke përmbledhur aktivitetin e saj gjatë fushatës dhe duke prezantuar kandidatët dhe planet për zhvillimin e komunës.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, shprehu mbështetjen e tij për kandidatin e tyre për kryetar të komunës, Artan Abrashin.

“Duam të bëjmë edhe ndryshimin në nivelin lokal për Prizrenin. Kemi plane të mëdha për ta bërë atë qendrën më të madhe të zhvillimit, ku do të gravitojë rajoni i Tetovës, i Kukësit dhe jugut të Kosovës. Me qeverisjen e Artan Abrashit, shkollat edhe çerdhet do të kenë kushte më të mira,” ka thënë Kurti.

Në fjalën e tij para qytetarëve, kandidati për kryetar të Prizrenit premtoi investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, duke theksuar se Prizreni meriton një hap të ri zhvillimi.

“Plani ynë mbështetet në katër shtylla: Prizreni që kujdeset për të gjithë, Prizreni që funksionon – qytet e fshat – në çdo lagje e çdo rrugë, Prizreni që fiton, ku çdo biznes, zanatli, bujk e i ri ka bereqet, dhe Prizreni që frymon në rini, kulturë dhe sport,” ka thënë Abrashi.

Në përmbyllje të këtij tubimi, Vetëvendosje përcolli mesazhin e mobilizimit të qytetarëve për ndryshimin dhe besimin në fitore më 12 tetor në Prizren.


Go to TOP