VV nuk merr pjesë në seancën e thirrur nga opozita për ushqimin në FSK, Dugolli: Le të reflektojnë
Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për të diskutuar rreth çështjes së ushqimit të pjesëtarëve të FSK’së.
Në një konferencë për media, deputeti i VV’së, Enver Dugolli, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë të thirrur nga opozita derisa ata “të reflektojnë”.
“Tentimi për të diktuar apo shantazhuar grupin tonë parlamentar për shkarkimin e zonjës Mimoza Kusari- Lila si shefe e GP si kompensim i pjesëmarrjes në seanca dhe votimeve në këtë legjislaturë, është absurd, për të cilin ne nuk e pranojmë. Ne as nuk përzihemi se kë e votojnë ata për shefa GP të tyre e aq më pak të pranojmë kushtëzime të tilla për shefen e Grupit tonë Parlamentar. Si rrjedhojë ne nuk marrim pjesë në asnjë lloj seancë apo iniciative që vie nga ana e tyre derisa ata nuk reflektojnë dhe të shmangin këtë formë imponimi i cili nuk kalon”, tha ai.
“Në fillim të tetorit me kërkesën e bërë nga opozita, në mënyrë unanime ëprkrahëm kërkesën e tyre për të ftuar ministrin Ejup Maqedonci në raportim. Me shumë se tri orë diskutuam dhe ministri iu përgjigj të gjitha pretendimeve dhe shqetësimeve të ngritura nga opozita rreth çështjes së ushqimit dhe temave tjera në dy seanca. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme nga opozita është vazhdimësi e një serie të dezinformatave që synon tash e disa ditë ta keqinformojë qytetarin. Kjo po bëhet me qëllim që ta dobësojë rolin e FSK’së që këto katër vitet e fundit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm”, ka thënë ai.